Fshati i Finiqit pa ujë, rrugë, shkollë dhe mjek, banorët: Këtu na ra koka, por shih e shkruaj
“Nuk e lëmë vendin. Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka. Këtu jam lindur këtu më ka rënë koka”. Edhe pse fshati Pandalejmon i Finiqit nuk i ofron më asnjë shërbim, ky banor nuk e ka braktisur.
Ndryshe nga shumë fshatra të tjerë edhe të rinjtë nuk e kanë braktisur.
“Kurbetin nuk e kemi shumë të theksuar. Po të zbresësh poshtë ke të rinj në kafe që gjejnë punë në të zezë. Kush nuk gjen kthehet në shtëpi tek prindërit”.
Në këtë fshat nuk ka as ujë, as rrugë, as qendër shëndetësore. “Tani kemi makina po patëm gjë ikim në Sarandë se dhe në Livadhja një doktor ka që rri deri në ora 1, por pastaj ç’bëhet?”.
“Shih e shkruaj, kjo është ura” tha një e moshuar. Po a kanë ujë? “Unë kam se më ka hapur pus djali”. Shkolla e fshatit ka 5 vite që nuk është e hapur. Nga jashtë godina ka një sipërfaqe si shkollat e qyteteve të mëdha por brenda duket si muze me objekte që të pa pastruara sa për të treguar se këtu dikur bëhej mësim. Në fshat nuk ka as kopsht. Po ku shkollohen nxënësit dhe edukohen fëmijët? “Venë në Livadhja i merr autobusi tek qendra sipër e i shpie në shkollë mbarojnë e i bie prapë”.
Fëmijët duhet të udhëtojnë me autobus 1 orë vajtje ardhje për të ndjekur shkollën përmes rrugës të shkatërruar. Edhe rrugët brenda fshatit janë të amortizuara. “E kam shtëpinë në mal, iki me këmbë”. “Ka vite kështu hedhin nganjëherë çakër të na zënë gojën”.
Një vendgrumbullimi plehrash, këtu është luks. Po si ushqehen këta banorë? “Vajta mblodha rrush tre ditë me gërshërë”. “Një copë vend për të kullotur bagëtitë nuk kam. Merremi me bujqësi me mandarina” tha një tjetër banore.
Banorët e Pandalejmonit janë shumë mikpritës. I përkasin besimit mysliman por në fshat ka e objekte të besimit ortodoks.