Ushtria shpërndan letra tek emigrantët e bllokuar në Kakavijë: Kthehuni në shtëpitë tuaja në Shqipëri, s’do ikni dot në Greqi me rregullat e reja
Forcat e Armatosura kanë nisur një mision të ri. Ushtarët kanë shpërndarë letra tek emigrantët, të cilët ndodhen prej katër ditësh në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, me anë të së cilës, u kërkojnë që të kthehen në banesat e tyre në Shqipëri.
Në letër, shkruhet se nisur nga fakti që nga nesër do të lejohen të kalojnë vetëm 750 shtetas të pajisur me PLF ndërsa nga data 17 gusht do të lejohen të kalojnë 750 shtetas nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe 300 shtetas nga PKK Kapshticë, të cilët përveç PLF duhet të jenë të pajisur edhe me rezultatin e testit negativ për COVID19, qytetarët do të ishte më mirë që të ktheheshin në banesat e tyre, pasi nuk do të arrijnë të kalojnë dot.
“Nisur nga situata e krijuar në dalje të Republikës së Shqipërisë, ku qytetarët janë dyndur për të dalë drejt shtetit grek, ju bëjmë thirrje se autoritet greke po zbatojnë masat e ndërrmara nga qeveria greke për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe për këtë arsye është e pamundur që të gjithë këta qytetarë të dalin nga Republika e Shqipërisë gjatë këtyre ditëve pasi nga dita e nesërme do të lejohen të kalojnë vetëm 750 shtetas të pajisur me PLF ndërsa nga data 17 gusht do të lejohen të kalojnë 750 shtetas nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe 300 shtetas nga PKK Kapshticë, të cilët përveç PLF duhet të jenë të pajisur edhe me rezultatin e testit negativ për COVID19, ndërsa pika e kalimit do të funksionojë nga ora 06:00-22:00. Ndaj i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kthehen në banesat e tyre në Shqipëri pasi e kanë të pamundur kalimin drejt Greqisë,”– shkruhet në letrën që Forcat e Armatosura kanë shpërndarë.
Ndërkohë, radhët e makinave në pikën kufitare të Kakavijës ka shkuar në 25 km. Qytetarët, me gra e fëmijë, janë torturuar në diell e temperaturë të larta. Disa persona kanë shfaqur edhe probleme shëndetësore dhe janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa ambulanca përplasi për vdekje një fëmijë 10-vjeçar. Edhe në Kapshticë situata paraqitet e njëjtë. Rama ka theksuar se për këtë çështje është në komunikim të vazhdueshëm me palën greke.