Raste të rikthimit të infektimit edhe në Shqipëri, ISHP: Zonat bregdetare nuk janë problematike
“Janë shfaqur disa raste të veçuara, sporadike për sa i përket rishfaqjes së Covid në personat që e kanë kaluar sëmundjen. Por e ritheksoj në 2-3 raste të veçuara nuk mund të ndahet me thikë. Them nuk mund të ndahet nëse është një riekspozim sërish i personit me Covid-19 apo është një riakutizim i mbetjeve që mund të ketë lënë Covid”.
E ndërsa Tirana vijon me shifra të lartë infektimesh, në qytetet bregdetare shihet një numër më i ulët i përhapjes së koronavirusit.
“Edhe në Bashkitë ku ka shfrytëzim turizmi, ku kemi turizmin veror, ku kemi plazhet, sigurisht që kemi raste por jo një transmetim të dendur, komunitar, siç ndihet për shembull në Tiranë,siç ndihet në Durrës, apo siç ndihet edhe në Shkodër”.
Shifrat e larta me koronavirus, sipas Tominit, nuk janë vala e dytë e Covid.
“Në periudhën e Marsit ne kemi qenë nën efektin e një epidemie apo pandemie po nën efektin e masave të karantinës së theksuar dhe ndërkohë Covid aktualisht po kalon periudhën e një qarkullimi fiziologjik normal të tij. Vala e dytë e parashikuar apo sipas projeksioneve të mundshme parashikohet në kohën kur do të qarkullojnë dhe viruse të tjerë respiratorë, me virusin e gripit dhe Covid bashkërisht”.
Por për të frenuar përhapjen e Covid në vend, specialistët rekomandojnë mbajtjen e maskës, distancimin fizik, si të vetme masa frenuese të infeksionit.