Bregdeti shqiptar, destinacion rajonal konkurrues në Mesdhe
Në Këshillin Kombëtar të Territorit u miratuan hartat e aktiviteteve të turizmit detar, duke synuar shndërrimin e bregdetit shqiptar, në destinacion rajonal konkurrues në Mesdhe.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, dekalroi sot se “miratimi i këtyre hartave, u “celebrua” me ndërtimin e atraksionit nënujor, ku një nga gjashtë anijet e Forcës Detare jofunksionale, përmes një procesi të koordinuar me Ministrinë e Mbrojtjes u fundos në detin e Dhërmiut për t’u shndërruar në pikë eksplorimi për të apasionuarit e zhytjes”.
“Përdorimi i detit për aktivitete turistike rrit ofertën dhe vlerën ekonomike të industrisë së Turizmit. Bregu ndahet në 60 zona, ku secila prej tyre do të ketë pasaportën e detajuar për lundrim, zhytje, peshkim, destinacione nënujore apo aktiviteteve të tjera ujore”, – tha Klosi.
Miratimi i hartave të përgjithshme detare, i hap rrugë certifikimit të operatorëve të turizmit detar dhe prezantimit të ofertës turistike detare të vendit tonë. Për pothuaj 3 dekada, turizmi detar nuk ka patur asnjë lloj zhvillimi, duke e lënë bregdetin shqiptar një hallkë të munguar të zinxhirit të zonës së zhvilluar të Mesdheut.