Rruga Janinë-Kakavijë, vijojnë përplasjet në Greqi për financimin
Autoritetet greke në prefekturën e Janinës po bëjnë përpjekje për financimin e projektit rrugor që lidh Janinën me pikën kufitare shqiptare të Kakavijës.
Ministria greke e Infrastrukturës ka përjashtuar së fundi mundësinë e ndërtimit të një autostrade me katër korsinga Janina në Kakavijë, pasi sipas saj përdorimi i rrugës nuk ka peshën për t`u përfshirë në rrjetin rrugor trans-europian.
Takimet mes drejtuesve të ministrisë dhe drejtuesve vendorë të Janinës nuk kanë dhënë rezultat. Prefekti i Janinës Aleksandër Kahrimanis tha për mediat vendore greke se do vazhdojnë të ushtrojë presion, së bashku me disa bashkish greke, ndërkufitare me Shqipërinë, për ndërtimin e rrugës.
Projekti kushton mbi 150 milionë dollarë dhe pjesa më e madhe e financimeve synohet të sigurohet nga Bashkimi Europian.
Segmenti rrugor Janinë -Kakavijë aktualisht ka mbetur i pazhvilluar duke sjellë probleme për banorët e zonave, por edhe për lëvizjen e njerëzve dhe për qarkullimin tregtar mes të dy vendeve.
Edhe në anën shqiptare drejtuesit vendor të disa bashkive kufitare u kanë kërkuar autoriteteve greke të ruajnë projektin e vjetër në standardin e një autostrade që lidh Kakavijën me autostradën Joniane. Sipas tyre projekti u jep zhvillim zonave kufitare mes të dy vendeve dhe nxit bashkëpunimin, sidomos në sektorin e turizmit.
Autostrada “Joniane” është ndërprerë në periferi të Janinës dhe segmenti që duhet ta lidhte me Kakavijën në kufi me Shqipërinë ka një gjatësi rreth 90 km. Pika kufitare e Kakavijës mban peshën kryesore të lëvizjes së njerëzve dhe qarkullimit tregtar mes Shqipërisë dhe Greqisë.