Përfundoi mandatin në Gjykatën e Lartë, KLGJ i jep gjashtë mundësi Dvoranit. Mes tyre dhe në Apelin e Gjirokastrës
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendos publikimin e gjashtë pozicioneve të lira në nivel apeli, për gjyqtarin Ardian Dvorani, që ka të drejtën e caktimit në një pozicion të tillë.
Pas kësaj vendimmarrje gjyqtari Ardian Dvorani, ftohet për të zgjedhur deri më datë 28.07.2020, njërin nga pozicionet e lira në Gjykatën e Apelit Tiranë, Gjykatën e Apelit Administrativ, Gjykatën e Apelit Durrës, Gjykatën e Apelit Korçë dhe Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe Gjykatën e Apelit Shkodër.
Një ditë më parë, Dvorani i kërkoi informacion Këshilli i Lartë Gjyqësor për vendet e lira në gjykatat e Apelit në vend, para se të shprehet nëse ka interes për të vijuar karrierën në gjyqësor në nivel Apeli. Dvorani u largua nga Gjykata e Lartë në 11 qershor me një vendim të KLGJ-së, gati 7 vjet pasi kishte përfunduar mandatit. Sipas ligjit, ai mund të shprehë pëlqimin për emërim në një gjykatë Apeli.