I zhdukur para 13 viteve në Sarandë! Dëshmia ‘bombë’: E takova vjet në Kopenhagen
Shenja jete për të riun dibran, që humbi gjurmët krejt papritur nga Saranda, në vitin 2007. Taulant Cara nuk arriti të pinte kafen e mëngjesit me vëllanë e tij Gentin, pasi la porosinë dhe shkoi tek berberi.
Që nga ai moment nuk u pa më. Nga ajo ditë kaluan 13 vite dhe i pari informacion i rëndësishëm, që mbërrin për familjarët është dëshmia që erdhi në emisionin ‘Pa Gjurmë’.
Një zotëri nga Dibra pretendon se është takuar me 33-vjeçarin në kryeqytetin danez, Kopenhagen.
Madje ai tregon detaje të takimit që ka ndodhur në gusht të vitit 2019, me djalin për të cilin dyshohet se është i riu që kërkohet në ‘Pa gjurmë’.
Në gusht të 2019 e kam takuar këtë djalë. Ai ndodhet në Danimarkë dhe jam i sigurt për këtë. Madje ishte së bashku me një maqedonas. Unë e kam takuar në Kopenhagen të Danimarkës. Folëm gjatë dhe duke biseduar i thashë se jam nga Dibra, madje dhe ai më më pohoi të njëjtën gjë se ishte po nga i njëjti qytet. Madje ai më tregoi se nga Tirana ishin shpërngulur me familjen në Sarandë. Tha se kishte vite në Danimarkë që jetonte dhe punonte në ndërtim me disa shqiptarë të Kosovës dhe shtetas maqedonas. Kur e pyeta si quhej, më tha se emri i tij është Taulant Cara. Ka shumë ngjashmëri me fotot. Më tha se kishte shumë kohë që nuk vinte në Shqipëri”, tha ai.
Nga përshkrimi i hollësishëm, që dha dëshmitari në një lidhje telefonike në studion e emisionit ‘Pa Gjurmë’, familjarët e shohin si një dritë jeshile, për djalin e tyre, informacion që përkon mjaft me të dhënat e Taulant Carës që kërkohet prej dy vitesh në emisionin ’Pa Gjurmë’. Ishte data 7 korrik 2007, kur pasi festoi 18-vjetorin Taulanti u zhduk papritur nga Saranda.
Ai kishte porositur kafenë bashkë me të vëllanë, duke i thënë këtij të fundit se duhet të shkonte tek berberi. Porosia erdhi, por Taulanti jo. Kjo vonesë shqetësoi familjen të cilët u vunë në kontakt me berberin në lagje, kur ky i fundit i pohoi se Taulanti ishte takuar me dy djem që dukej se i njihte, të cilët po e prisnin jashtë. Genti telefon të vëllanë, por Taulanti e kishte lënë në shtëpi telefonin. Kohë më parë i kishte pohuar nënës se po të kishte fatin për t’u larguar, nuk do të kthehej më. Pohim i cili ngriti pikëpyetje të mëdha, mbi arsyet që mund të ketë pasur i riu nga Dibra për të humbur gjurmët.