Gaz Demi mesazh ngushëllimi për humbjen e mikut të tij Fatos Nano: Njeri brilant që i dha vlerat e vërteta demokracisë
Presidenti i klubit të futbollit Partizani, Gazment Demi, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë, intelektual dhe profesor i shquar, por edhe një tifoz i zjarrtë i klubit të kuq.
Në një mesazh prekës, z. Demi e kujton Nanon jo vetëm si figurë të rëndësishme politike, por mbi të gjitha si një mik të afërt dhe njeri me vlera të rralla.
“Fatos Nanon do ta mbaj mend si profesorin dhe mikun tim të mirë, qysh në Fakultetin e Ekonomisë, ashtu edhe vitet e para të demokracisë. Profesori do të mbahet mend si njeriu që i dha vlerat e vërteta demokracisë dhe u tërhoq në moshën më vitale, duke i lënë stafetën më të rinjve, për të dhënë një shembull unik në jetën publike dhe politike të vendit tonë.
Jam krenar që i kam shërbyer qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore profesorit dhe mikut tim të mirë. Nga shqiptarët ai do të kujtohet me respekt të madh si një burrë shteti dhe një politikan brilant, duke treguar tolerancë e maturi, ndërkohë që unë do e kujtoj gjithnjë si Profesorin tim të veçantë, një mik të rrallë, të mençur dhe të ndershëm që kam patur nderin t’i qëndroj afër si në ditët e mira, ashtu edhe në momentet më të vështira.”
Mesazhin e tij, presidenti i Partizanit e mbyll me fjalët:
“Lamtumirë miku im i mirë! U prehsh në paqe Profesor! Me mirënjohjen dhe respektin e përjetshëm të familjes Demi dhe klubit të kuq.”

