Finiq – Ndërhyrje në rrugët e parcelave, pastrohen edhe kanalet ujitëse e kulluese
Bashkia e Finiqit, menjëherë pas përfundimit të ujitjes së tokave bujqësore, ka nisur ndërhyrjet në infrastrukturën rurale për të lehtësuar punën e fermerëve.
Investimet synojnë të përmirësojnë rrugët e brendshme të parcelave, duke mundësuar transport më të sigurt dhe më të shpejtë të prodhimeve bujqësore drejt tregut.
“Po punojmë për përmirësimin e infrastrukturës së rrugëve të brendshme të parcelave, sepse natyrisht duhet mbledhur edhe prodhimi. Paralelisht po punojmë edhe me kullimin e parcelave që janë të pashfrytëzueshme. Çdo vit i shtojmë parcelat që u vihen në dispozicion fermerëve për t’u mbjellë,” thotë përgjegjësi Aristotel Koçi.
Paralelisht, Bashkia po punon për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, një masë thelbësore për të parandaluar përmbytjet në rast reshjesh të dendura.
“Në periudhën e fundnëntorit, dhjetorit, kur janë shirat e mëdha ose ka përmbytje, i rrimë punës në kokë. Hapim shkarkuesit në mënyrë që të mbrojmë kanalet nga përmbytjet,” tregon z. Koçi.
Këto veprime tregojnë angazhimin e Bashkisë Finiq për të mbështetur bujqësinë lokale dhe për të siguruar kushte më të mira për komunitetin.
Autoritetet lokale theksojnë se investimet në infrastrukturën bujqësore janë një prioritet, pasi ato ndihmojnë në ruajtjen e prodhimeve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

