Saranda në shtet-rrethim/ 50 policë në ndjekje të ‘Dane’-s
Saranda është blinduar prej orësh nga forca të shumta policore në një operacion intensiv për kapjen e 43-vjeçarit të shumëkërkuar Ramadan Zoto, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj dhe pseudonimin “Dane”. Operacioni përfshin rreth 50 forca policore nga Tirana, Vlora dhe Saranda, FNSH, Shqiponja dhe forcat operacionale.
I shumëkërkuari është autor i dyshuar i një ngjarjeje të rëndë të ndodhur të enjten në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave, duke i plagosur rëndë. Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç dhe Ernest Lama, 25 vjeç, të dy nga Kamza, u transportuan me helikopter drejt Tiranës për ndihmë mjekësore urgjente.
Zoto ka hapur zjarr katër herë ndaj tyre në një nga rrugët kryesore të qytetit, pas një konflikti të hershëm mes palëve. Mësohet se edhe Hajdaraj ishte i armatosur, por nuk arriti të reagojë.
Kontrollet policore janë përqendruar në fshatin Gjashtë dhe në disa banesa në rrugën “Butrinti” të Sarandës, por pa rezultat deri më tani.
Ramadan Zoto alias Dane është cilësuar si një person me rrezikshmëri të lartë si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi. Emri i tij del për herë të parë në vitin 1997, si dëshmitar në një ngjarje të armatosur në tregun e Sarandës. Në prill 2005, ai vrau me armë shqiptarin Pushkin Kuspa në Athinë, ndërsa në 2008 u përfshi në një shkëmbim zjarri me policinë greke. Ai rezulton i përfshirë edhe në grabitje me armë, ndërsa në 2019 u kap në Athinë me makinë të vjedhur, armë dhe drogë.
Pas daljes nga burgu grek, u kthye në Sarandë, ku ka qenë subjekt i disa procedimeve, përfshirë edhe një arrestim për “goditje për shkak të detyrës”.
Policia ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë të dyshuar për përkrahje të autorit të krimit: Erjon Canaj, 36 vjeç, vëllai i Zotos, Artan Murtaj, 43 vjeç, Klaus Jaçaj, 31 vjeç, të gjithë me precedentë penalë.
Operacioni policor vijon me kontrolle intensive në Sarandë dhe zonat përreth.

