“Mirënjohje për humbjen?” – Ina Zhupa falënderon bashkëpunëtorët mes kolapsit historik të PD në Sarandë
Sarandë – Në një deklaratë që ka ngjallur reagime të shumta dhe zemërim brenda bazës demokrate, deputetja Ina Zhupa ka zgjedhur të falënderojë bashkëpunëtorët e saj për punën në fushatë, pavarësisht faktit se Partia Demokratike në Sarandë ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj zgjedhore – madje më të rëndë edhe se ajo e vitit 1997.
“Faleminderit atyre që nuk u thyhen… që qëndruan te vlerat… që rezistuan,” shkruan Zhupa, ndërkohë që PD në Sarandë rezultoi të jetë thuajse e zhdukur nga harta elektorale e qytetit.
Por a mund të quhet “rezistencë” një përmbysje totale elektorale? A mund të ketë “mirënjohje” në një betejë ku qytetarët dhanë verdiktin më të ashpër ndonjëherë kundër drejtimit të saj lokal dhe politikës që ajo përfaqëson?
Mungesa e përgjegjësisë, heshtja për rezultatin katastrofik dhe përpjekja për të shitur humbjen si qëndresë janë parë nga shumë demokratë si një tallje e hapur me përpjekjet e vërteta në terren – me strukturat që ndihmuan, me votuesit e zhgënjyer dhe me ata që besuan se PD kishte ende një shans për të ringjallur besimin në Sarandë.
Kush mban përgjegjësi për këtë dështim historik? A do të ketë reflektim të vërtetë apo do të vazhdojë loja e statuseve zbukurues, ndërsa partia fundoset?
Ky rezultat nuk është thjesht një dështim, është një sinjal alarmi. Dhe përballë këtij alarmi, heshtja dhe dekorimet e brendshme janë veçse një iluzion i trishtë që nuk e shpëton askënd nga përgjegjësia./Sarandanews.com/