Shehaj mbyll turin në Sarandë: E kthejmë Shqipërinë në një vend ku ia del me punë

Të premten, Partia “Mundësia” nisi zyrtarisht fushatën elektorale me një tur të pandërprerë që përshkoi Shqipërinë nga Shkodra në Sarandë, duke ndaluar në çdo qytet të madh për të takuar qytetarë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

Nga Saranda, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh se forca e tij politike po tërheq vëmendjen dhe ka fituar besimin e qytetarëve, pasi nuk merret me “bufa e këneta”, por flet për Shqipërinë që mundohet t’ia dalë me unë të ndershme, duke takuar qytetarët aty ku ata punojnë.

Shehaj tha se shqiptarët kanë një potencial të jashtëzakonshëm dhe këtë e tregojnë sa herë që u jepet mundësia në vendet e tjera, por shqiptarët vijojnë të jenë populli më i varfër në Europë për shkak të shtetit dhe politikës që i pengon.

“Sot filloi zyrtarisht fushata elektorale, por ne kemi kohë që kemi filluar dhe po tërheqim vëmendjen sepse po flasim për problemet reale të qytetarëve, po flasim me njerëzit dhe po shkojmë te njerëzit. Ndërkohë që këta merren me unikatila, jo bufi, jo miu e jo këneta, ne jemi të vetmit që shkojmë te bizneset e vogla, te bizneset e mesme. Flasim për Shqipërinë që mundohet t’ia dalë me punë të ndershme.

Më bëri përshtypje një pyetje, që thoshte se kush ka bërë më shumë, Edi Rama apo Sali Berisha. Ata që kanë bërë më shumë për Shqipërinë janë shqiptarët, falë punës së tyre.

Në Shqipëri, shqiptarët nuk kanë pasur mundësinë t’ia dalin dhe janë detyruar të ikin jashtë sepse politika nuk i ka lejuar. Të gjithë sipërmarrësit që takoj më thonë të njëjtën gjë: Agron, unë ia kam dalë me krahët e mia, unë s’kam marrë asgjë nga politika. Kjo është historia e çdo shqiptari.

Shqiptarët kanë një potencial të jashtëzakonshëm, një këmbëngulje e ambicie të jashtëzakonshme, dhe kur gjejmë mundësitë në Perëndim, arrijmë suksese të jashtëzakonshme. Po si është e mundur që një popull kaq i aftë vazhdon të jetë një nga popujt më të varfër në Europë? Për një arsye: sepse kanë pasur një shtet dhe një politikë që i ka penguar.

Ajo që na dallon nga të gjithë të tjerët nuk është vetëm fakti se jemi të vetmit që nuk jemi përlyer në pazare, por jemi dhe të vetmit që nuk ju themi se shteti do i bëjë më të pasur, u themi se shteti nuk do i pengojë. Plani dhe vizioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë vendin ku secili nga ne t’ia dalë me punë”, tha Shehaj.

Por si shkoi turi i Partisë Mundësia nga ora 8 e mëngjesit deri në 9 të darkës?

Në çdo ndalesë, kryetari i Partisë, Agron Shehaj, theksoi nevojën për një ndryshim të vërtetë dhe u angazhua për një politikë që u shërben qytetarëve, jo interesave personale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *