Saranda mikpret studentë gjermanë në kuadër të bashkëpunimit akademik për turizmin e qëndrueshëm
Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Caçi, ka mirëpritur sot një grup studentësh dhe pedagogësh nga Universiteti Eberswalde në Gjermani, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të programit Erasmus+, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Në fokus të këtij bashkëpunimi është moduli i përbashkët “Albania: Cultural Exchange as the Foundation for a Sustainable Future”, i cili synon të promovojë kërkimin shkencor dhe të forcojë shkëmbimet akademike dhe kulturore mes vendeve, me theks të veçantë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Gjatë takimit u diskutua edhe për çmimin ndërkombëtar “Bronze Green Destinations”, të cilin Saranda e fitoi në panairin e turizmit ITB Berlin 2025, një arritje që vlerëson përpjekjet e qytetit drejt qëndrueshmërisë.
“Në bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët, ndamë ide e vizione për të ardhmen e qytetit tonë si një destinacion ku prioritizohen qëndrueshmëria, edukimi dhe kultura”, tha kryetari Caçi.
Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të reja bashkëpunimi ndërkombëtar, në funksion të zhvillimit të Sarandës si një model i turizmit të qëndrueshëm në rajon.