Saranda, me pamje, qasje dhe ofertë të re

Nga Thoma Nika

Ndërkohë që vijnë vizitorët dhe turistët e parë, në rrugë tokësore dhe detare, Saranda po u jep dorën e fundit përgatitjeve përmirësuese në rrugë e rrugica, në qendër e në periferi, që pushuesit e pranverës dhe më tej të verës, të përmbushin çdo pritshmëri të tyre.

Eliana Shkurti, Shefe Kabineti në Bashkinë e Sarandës, thotë se investimet më të fundit janë bërë me qasje ekologjike, që i shërbejnë edhe lehtësimit të lëvizshmërisë këtë verë si në Sarandë edhe në Ksamil.

Për të siguruar një sezon dhe vit sa më të mbarë turistik, rezerva janë parë edhe në bashkëpunimin më të gjerë mes qeverisjes vendore dhe biznesit lokal, që ka nisur jo tani, por qysh me mbylljen e sezonit të vitit të kaluar.

Edhe më intensiv është bërë promocioni turistik dhe prezantimi i ofertës së përmirësuar turistike, “Saranda All in One”, në të gjitha karakteristikat e saj, me prani në Panaire të mëdha brenda e jashtë vendit, si dhe në Prishtinë.

Saranda 2025, së bashku me Ksamilin, hyjnë në sezonin turistik me ofertë të përmirësuar dukshëm, ku vend të rëndësishëm zë investimi për qendrën e pritjes. Investimi në infrastrukturën e sinjalistikën rrugore, pedonalet dhe trotuaret e shtuara me mozaik etj., që të gjitha krijojnë kushtet për t’u ndjerë në një qytet ekologjik, me minimizim të përdorimit të makinave.