Rama: Nëse PS nuk thyen rekord në Vlorë në 11 maj, turpi i të gjithë atyre burrave që nuk do të shkojnë në votime

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi një takim elektoral me gra e vajza të qarkut të Vlorës.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se të gjithë prindërit duhet t’u japin fëmijëve të tyre pasaportën evropiane.

“U them të gjithëve atyre që kanë një votë, u them prindërve, u them nënave dhe baballarëve të gjithë fëmijëve shqiptarë, të fëmijëve të vegjël: nëse doni që t’u jepni fëmijëve tuaj një gjë që prindërit tanë nuk na e dhanë dot, një gjë që prindërit nuk ua dhanë dot prindërve tanë dhe kështu me radhë, keni mundësinë ta bëni duke iu dhënë pasaportën evropiane. Dhe ajo pasaportë vjen si rezultat i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe anëtarësimi Shqipërisë në BE është e vetmja garanci, jo për sot, por përgjithmonë që le të vijë kush të dojë në qeveri në Shqipëri nuk e cenon dot më barazinë para ligjit”, tha Rama.

Përndryshe, shtoi Rama, “do t’ia lëmë fatit. Ne themi që fati me ne shqiptarët nuk ka qenë shumë bujar. Por unë mendoj që më shumë sesa fati për ne shqiptarët problem ka qenë vetja jonë. Çfarë i kemi bërë ne vetes as armiqtë më të mëdhenj nuk na e kanë bërë. Sepse edhe ’97-ën, firmat piramidale dhe shkatërrimet e 97-ës nuk na i bëri asnjë armik i jashtëm, na i bëri vetja përmes përfaqësuesve tanë më të këqinj. Kështu që prandaj më 11 maj duhet menduar shumë përtej katër viteve të ardhshme”.

Rama u dha edhe një mesazh vlonjatëve për 11 majin.

“Gjithë Shqipëria ka probleme. Të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë probleme. Por nëse të gjitha qytetet e Shqiëprisë kanë bërë përparimet e tyre, unë po ju them që në ҫdo qytet që unë shkoj, gjëja që më thonë është: a do bëhet edhe qyteti ynë si Vlora? Unë e di që Vlora nuk është vetëm Lungomarja; unë e di që Vlora nuk është vetëm Muradia; unë e di që Vlora nuk është vetëm Bulevardi; unë e di që Vlora nuk është vetëm Kumia apo lagjet e tjera që janë transformua; unë e di që Vlora ka akoma zona brenda saj ku duket sikur nuk ka ardhur akoma ndryshimi. I di këto shumë mirë. Por unë di dhe një gjë tjetër: nëse ka zgjedhës burra dhe djem në radhë të parë në Republikën e Shqiëprisë që në ditën e votimit duhet të ҫohen dhe të shkojnë të votojnë dhe mos ia lejojnë vetes që të mos marrin pjesë në votim, po të shkojnë të votojnë, janë burrat dhe djemtë e Vlorës dhe pastaj patjetër dhe gratë dhe vajzat, sepse nëse doni më shumë për Vlorën atëherë unë dua më shumë nga Vlora më 11 maj”, tha Rama.

“Dhe unë kam bindjen absolute që nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, ujësjellësve, kanalizimeve, gjelbërimeve, ndriҫimeve e të gjitha mbahet për sensin e historisë dhe nëse të gjithë ju burrat dhe djemtë e Vlorës keni dëshirë të flisni për Ismail Qemalin dhe të këndoni këngët e heroizmave tuaja atëherë duhet të provoni që sensin e historisë e keni dhe sot kur në 11 maj shqiptarët shkojnë në takim me historinë, jo me partinë”, theksoi Rama.

“Në 11 maj PS do të fitojë në të gjithë Shqipërinë dhe po ju them në 11 maj PS në disa qarqe do të thyejë rekord. Tani unë mendoj që në zgjedhjet për Evropën, në zgjedhjet për të bërë Shqipërinë anëtare të BE brenda 2030-ës, nëse Vlora nuk thyen rekord, ky do të jetë turpi i gjithë atyre burrave që nuk do të shkojnë në votime”, u shpreh Rama.

“Kjo është ajo që unë kam për burrat e Vlorës, për ata që akoma rrinë e diskutojnë, se nuk po i hyj fare tani të flas për Leskon se mendoj që nuk ja vlen fare, as nuk hyj fare të flas për “kënetën” dhe “bufin e kënetës” se s’ia vlen fare, por mendoj që ju të dashura shoqe, motra, zonja duhet ta merrni përsipër Vlorën, ta merrni në krahë, të mos lini shoqe e fqinje e krushkë pa ҫuar në votim dhe të mos lini edhe grua dhe vajzë demokrate pa folur. Dhe e para, socialistë e progresistë, djem e burra duhet ta ndjejnë detyrë që të votojnë. E dyta, ata që janë të pavendosur le të vendosen bashkë me ne tek numri 5. Dhe e treta pastaj, ata që nuk mbushin fare le të shpresojmë që gratë e tyre do t’i vënë në gjumë atë ditë që mos të shkojnë fare të votojnë”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *