Lapaj padit Agron Shehajn në SPAK për shpifje: Jam sulmuar në mënyrë të pakuptimtë
Kreu i Koalicionit ”Nisma Shqipëria Bëhet” ka dorëzuar këtë të hënë në SPAK një padi për shpifje ndaj deputetit demokrat, Agron Shehaj.
Në një deklaratë për mediat, Lapaj tha se ky veprim vjen pas deklaratave publike të bëra nga Shehaj, të cilat sipas tij, janë të pavërteta dhe denigruese ndaj figurës së tij profesionale dhe publike.
“Kam bërë një kërkesë penale për veprën penale të fyerjes dhe shpifjes. Unë i kam dhënë kohë zotit Shehaj prej një muaji, por edhe vetes, për të reflektuar, sepse nuk e kam dashur një jap mesazhin e luftës mes subjekteve të reja.
Jam sulmuar në mënyrë të pakuptimtë. Nëse unë kam shkelur ligjin e republikës së Shqipërisë, do të mbaj përgjegjësi, ose zotëria në fjalë ka shkelur ligjin dhe do të mbajë përgjegjësi për shpifje”, tha ai.
Shehaj e akuzoi fillimisht Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.
Pasi Lapaj mohoi akuzat e Shehajt, duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë, Shehaj vazhdoi sërish me akuza, duke i shoqëruar edhe me dokumente.
Sipas Shehajt, Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet, duke i nxjerrë certifikatën e pronësisë. Vendimi për pronën, sipas Shehajt, është dhënë nga vetë vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, në kohën kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.