Çuçi takim me peshkatarët artizanalë: Port i ri për Orikumin. Vlora destinacion turizmi në Mesdhe shpërblen edhe punën e peshkatarëve
Drejtuesi politik i Partisë socialiste në qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, zhvilloi sot një takim me disa peshkatarë artizanalë në Orikum. Bashkë me të ishte edhe kandidati për deputet, Klevis Kaso. Gjatë diskutimit Çuçi foli për zhvillimin ekonomik të Vlorës dhe rolin që ka sidomos peshkimi në sektorin e turizmit teksa përmendi edhe lejen e dhënë nga qeveria për një port enkas për këto pëshkatarë.
“Peshkimi artizanal kudo në botë ka sfidat e veta. Ne jemi munduar të mos e lemë pa ndihmë këtë sektor duke akorduar një fond të posaçëm për rinovim dhe modernizim të pajisjeve. Po kështu është miratuar leja nga KKT ekskluzivisht për portin e peshkimit artizanal. Transformimi që ka pësuar Vlora si një destinacion i turizmit në Mesdhe, ka bërë që çmimi i peshkut të egër të arrijë majat. Kjo stimulon dhe shpërblen edhe punën tuaj”, tha Çuçi teksa kërkoi më shumë bashkëpunim të vetë peshkatarëve me autoritetet shtetërore për të luftuar peshkimin e paligjshëm kryesisht me lënd plasëse.
Në vijim të fjalës së tij ai vlerësoi kandidatin për deputet, Klevis Kaso.
“Klevisi është një profesionist pa llafe, por me punë shumë, një vlonjat 24 karat. Kështu njerëz duhen, punëtorë dhe që përgjigjen në çdo kohë dhe i çojnë gjerat deri në fund”, tha Çuçi.