Çuçi në Sarandë: 5 arsye pse duhet zgjedhur PS dhe Edi Rama në 11 maj
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, takimin e radhës elektoral e zhvilloi në Sarandë. Bashkë me kandidatët për deputetë, Ardit Bido, Gjergj Mërkuri dhe Vasili Llajo, ai kërkoi mbështetjen me votë në zgjedhjet e 11 majit. Çuçi renditi 5 arsye përse duhet zgjedhur numri 5 në fletën e votimit.
Së pari ai përmendi investimet që janë kryer në Sarandë përgjatë viteve kur PS qeveris vendin, investime që e kanë transformuar qytetin dhe e kanë shndërruar në një nga destinacionet kryesore turistike në Mesdhe. Së dyti Çuçi përmendi projekete të tjera madhore që do të realizohen gjatë këtij mandati si Bypassi i qytetit, porti i jahteve dhe rruga e re Dhërbimi-Sarandë.
Arsyeja e tretë përse duhet zgjedhur Partia Socialiste tha ai, është alternativa që kemi përballë, Sali Berisha, i cili sipas Çuçit e çoi Shqipërinë dy herë në humnerë.
“Djali im lindi kur ai u rrëzua nga shqiptarët në ’97 dhe tani që është 28 vjeç sheh alternativë prapë Sali Berishën. Absurde!”, tha Çuçi.
Si arsye të katërt përse duhet zgjedhur Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 majit tha Çuçi, është Edi Rama dhe skuadra që ai ka.
“Unë nuk besoj se ka një udhëheqës në gjithë këto vite të shtetit shqiptar që ka bërë më shumë për dinjitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve se Edi Rama. Padiskutim që ky transformim nuk mund të vinte pa Partinë Socialiste dhe pa Edi Ramën”, deklaroi Çuçi.
Drejtuesi politik i PS-së vlerësoi gjithashtu kandidatët për deputetë, Ardit Bido, Gjergj Mërkuri dhe Vasil Llajo.
“Nuk besoj se ka pasur një mozaik më të mirë Saranda se këto tre kandidatë. Edhe mbështetësit e opozitës e gjejnë veten te këto alternativa”, deklaroi Çuçi.
Si arsye të pestë përse duhet mbështetja masive me votë për Partinë Socialiste në këto zgjedhje, Çuçi përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një ëndërr që po bëhet realitet dhe 2030 është data e lënë si afat nga Brukseli dhe shqiptarët do të kenë më në fund pasaportën europiane.
“Në mandatin që ne do të marrim, do ta bëjmë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Një ëndërr shekullore e jona që nga krijimi i shtetit. Më në fund e kemi shumë pranë. Vetëm PS me në krye Edi Ramën po e bën këtë ëndërr realitet. Prandaj në 11 maj të gjithë duhet të dalim dhe të votojmë numrin 5, Partinë Socialiste”, u shpre Çuçi.