Çuçi: Në 11 maj e gjithë vëmendja është në Vlorë, për Giro d’Italia dhe fitoren e PS-së me 9 mandate
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim me komunitetin sportiv të Vlorës. Bashkë me kandidatin për deputet, Klevis Kaso, Çuçi foli për investimet që janë bërë ndër vite për sportin në të gjithë vendin, duke vënë theksin te mbi 200 palestra të ndërtuara dhe klasat sportive.
“Në 2013 nuk kishte asnjë palestër të re të rindërtuar. Në këto vite ne kemi bërë 200 palestra të reja në të gjithë vendin. Ishin harruar klasat sportive, aty ku lindin embrionet, aty ku formohen sportistët. Ne i ringjallëm këto klasa. Sot si pjesë e ekipeve të klasave sportive janë 12 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë”, tha Çuçi.
Teksa përmendi rindërtimin e stadiumeve në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Kukës, Çuçi foli edhe për projektin e stadiumit “Flamurtari” në Vlorë.
“Këtu do të kemi projektin madhështor për stadiumin e Flamurtarit. Jo vetëm stadiumi, por do të bëhet i gjithë kompleksi sportiv i Vlorës, me pallatin e sportit, me pishinat dimërore dhe me gjithçka që e meriton ky qytet”, tha Çuçi.
Për garën e 11 majit, ai kërkoi mbështetje të të gjithë komunitetit sportiv e jo vetëm në Vlorë, të mbështesin me votë Partinë Socialiste. Me ditën e zgjedhjeve dhe fitoren e PS-së tha Çuçi, përkon edhe eventi i madh Giro d’Italia që do të zhvillohet në Vlorë.
“Të dalim të votojmë numrin 5, sepse PS-ja është e vetmja forcë që mund ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian. 11 majin le ta kthejmë në një festë sportive ashtu siç e kemi kthyer sepse në 11 maj këtu do të vijë një nga ngjarjet historike të botës siç është Giro d’Italia, e cila do të transmetohet në rreth 200 vende të botës. 200 vende të botës do të dëgjojnë për Vlorën dhe fitoren e Partisë Socialiste me 9 mandate në këtë qark”, tha Çuçi.