Xhamia e Gjin Aleksit, në hartën e guidave turistike

Nga Thoma Nika

Në kilometrin 15 të largësisë midis Sarandës dhe Delvinës, rruga kthen për në fshatin Rusan, ku gjendet Xhamia e Gjin Aleksit. Rrallë ndodh që një fshat të bëhet i njohur, për shkak të famës që ka një objekt kulti fetar. Kjo ka ndodhur me Rusanin, që ka në pjesën hyrëse të tij këtë xhami kaq unike.

Për historianin dhe studiuesin Halil Shabani dy janë të veçantat e këtij objekti: arkitektura dhe historia e rrallë e pleksjes së tre besimeve, çka e bën atë një kompleks islamik.

Historia e ndërtimit dhe e emërtimit të kësaj xhamie, me emrin Gjin Aleks, sipas historianit Shabani, çon në një kryeqendër historike, siç është Kamenica dhe kreut të saj historik me emrin Gjon, që i përkiste besimit katolik.

Në xhaminë e Gjin Aleksit vijnë aplikantë të besimit mysliman nga fshati dhe nga Delvina e periferitë e saj. E kanë kënaqësi të vijnë e të falen në këtë xhami. Edhe se plotësojnë një nevojë shpirtërore të tyre. Por edhe se ky objekt kulti është një ndërtim i rrallë, me vlera unikale, që, pas restaurimit të fundit, janë bërë edhe të dallueshme.

Këto të veçanta kanë bërë që xhamia e Gjin Aleksit të hyjë në guidat turistike të turistëve vendas dhe të huaj dhe të ketë vizitueshmëri në rritje si atraksion turistik.

Xhamia e Gjin Aleksit është ndërtuar në fund të shekullit të 16-të, mendohet mbi rrënojat e një kishe dhe që pjesë e kompleksit janë edhe tyrbet e bektashizmit.

Ky kompleks gëzon statusin “monument kulture i kategorisë së parë”, prej vitit 1963.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *