Sa i “vjetër” është 7- Marsi?

Nga Thoma Nika

Vetvetishëm buruan sot urimet, lulet, dhuratat e nxënësve për Mësuesit dhe të ish-nxënësve për ish-Mësuesit. Megjithë “tërmetet” që kanë ndjerë shkollat, librat, interesi për mësimin dhe marrëdhëniet mësues-nxënës, në fund të një viti, apo në mbyllje të një cikli, Mësuesi mbetet figura qendrore e përçimit të Dijes, drejt të cilit përgjithësisht adresohet respekt dhe mirënjohje, që të shoqëron për tërë jetën.

Kjo shprehje nderimi, respekti e adresim urimesh e deri dhe dhuratash, siç sot u pa, është kthyer në një ritual për çdo 7 Mars. Natyrisht që ne pothuajse të gjithë takohemi në opinionin se shpesh dhuratat, sidomos për Mësueset, bëhen “me tepri”. Por sot nuk është dita për të diskutuar rreth kësaj dukurie.
Është 7 Mars, Dita e Mësuesit. Dhe çdo “korrektim” do mund të quhej prishje e atmosferës së festës dhe retushim i legjitimitetit të saj.

Ka gjëra me interes më të gjerë publik se sa kjo. E rëndësishme është të themi se në Ditën e Mësuesit, kalendari shqiptar është unik në këtë qasje. Pse? Sepse e ka këtë datë të dedikuar e të lidhur me çeljen e të parës shkollë shqipe në Korçën, që “i la pas shoqet” e veta. Është e njohur se kjo datë e ka “rrënjën” te çelja e Mësonjëtores së Korçës, e cila hapi dyert për herë të parë pikërisht më 7 Mars të vitit 1887.

E megjithëkëtë, Dita e Mësuesit këtu ka “origjinën”, por jo “datlindjen”. Atëherë, sa “i vjetër” është 7 Marsi? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në një Vendim të posaçëm të ish- Presidiumit të Kuvendit Popullor të shtetit monist, që mban numrin arkivor 113 dhe datën 3 mars 1960. Pra, 7 Marsi i vitit 1960, ka qenë 7 Marsi i parë, i festimit si Dita Kombëtare e Mësuesit. Që do të thotë se do të duhej të kalonin 73 vite nga çelja e shkollës së parë, që një ditë në kalendarin tonë t’i dedikohej figurës së Mësuesit.

Duket disi i vonuar ky përcaktim dhe dedikim kësaj figure qendrore të Arsimit. Por, referuar Ditës Botërore të Mësuesit, që është në një tjetër datë, Shqipëria rezulton të jetë jo me vite, por me më shumë se tri dekada më përpara.

E them këtë, pasi Dita Botërore e Mësuesit, e përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, nis në vitin 1994, kur u përcaktua 5 tetori, si Dita Botërore e Mësuesit. E kjo u caktua e tillë, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966.

Po atë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-s, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984), hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.