Mori vulën e partisë MEGA, Kristo Kiço tregon me kë do bashkëpunojë në zgjedhjet e 11 majit
Thoma Nika
KQZ i ka dhënë fund dilemës se cili do të ishte subjekti elektoral i ligjshëm për të përfaqësuar në këto zgjedhje minoritetin grek, duke bërë më 3 mars rregjistrimin e Megës së përfaqësuar nga Kristo Kiço.
Në një prononcim për RTSH Gjirokastra Kiço thotë se është paraqitur dhe pranuar si i ligjshëm i gjithë dokumetacioni i kërkuar nga KQZ, ndërkohë që ai pranon se ka një situatë jo fort të këndshme brenda partisë Mega, e cila mund dhe duhej shmangur.
Kristo Kiço tregon se Mega që ai kryeson, ka zgjedhur të bashkëpunojë me forca të mëdha politike dhe se do të vazhdojë të jetë në një bashkëpunim të ngushtë me PS, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare e ato vendore. Ai konfirmon se ky është një proces i hapur, që do ketë si produkt marrëveshje para e paszgjedhore, për t’u përfaqësuar në Parlamentin e ri nga njerëz të spikatur të minoritetit.
Kreu i Megës zyrtare thotë se Diaspora edhe për ata është me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi pjesa dërrmuese e minoritetit gjendet në emigracion në Greqi. Fokusi ka qenë thirrja për t’u rregjistruar për të votuar, por edhe puna ndërgjegjësuese në vijim, në mënyrë që të parregjistruarit të mund të jenë fizikisht për të votuar në Shqipëri.
Si përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri, Kryetari Mega-s, Kristo Kiço, bën publik merakun e tij që ky minoritetit të jetë i bashkuar.
Mesazhi i tij për dialog e bashkim, shkon si për Omonia-n, ashtu edhe për PBDNJ dhe për pjesën e partisë Mega, që u shkëput dhe mori, sipas tij, vendime të gabuara.
Kryetari Kristo Kiço thotë se rëndësi të dorës së parë për këto zgjedhje, ka që votuesit të bëjnë zgjedhjen më të mirë, zgjedhjen e duhur dhe jo zgjedhje të imponuara.