Ditëlindje për 95- vite jetë për Shefqet Lekën
Nga Thoma Nika
Me një buqetë lule dhe me shumë urime zemre, ka qenë ditëlindja e 95-të për Shefqet Lekën. Ndoshta përpara se t’ia festonte familja këtë ditëlindje, për atë janë kujtuar miq të tij të uniformës së ushtarakut në shumë dekada më parë.
Ky ka qenë rasti për të risjellë në kujtesë kapitenin e parë të kulmit të karrierës, kontributet e tij në fushën e mbrojtjes dhe modernizimit në ushtri, përkushtimin e tij në çdo detyrë dhe figurën e qytetarit të mirë të Sarandës. Anastasi dhe Hamdiu, Ymeri dhe Subiu, Spirua dhe Tomorri, Behari dhe Asimi, sollën në tryezë përjetime personale nga jeta ushtarake, kur modeli dhe fjala e urtë e komandant Shefqetit, u vlejti për t’i ngjarë atij në qëndrimin ndaj detyrës.
Në këtë ditëlindje të tij, këto mbresa i shprehin me shumë mirënjohje. E mirënjohja u kthehet në dëshirë e urim: për sa më shumë jetëgjatësi e të jetë po kaq vital sa sot, me këmbë që vetëm ecin dhe me mendje që nuk ngec. Këtë festim të thjeshtë, por shumë të përzemërt, ia bënë surprizë shokët e Shoqatës së ish Ushtarakëve, me protagonist Subi Hidën.
Shefqet Leka është një matjan i zbritur nga Macukulli dhe i bërë një, me historinë e Sarandës dhe sarandiotëve. Prej gati 70 vite më parë bëri karrierë ushtarake në Delvinë e Sarandë dhe ndërtoi miqësi të forta e bëri emër të mirë, si njeri i virtytshëm.
Me 95 vitet e tij, Shefqet Leka mbahet sot si mjeshtri i plakjes ngadalë. Sepse nuk heq dorë nga fizkultura e mëngjesit në kushte shtëpie, bën disa kilometra ecje çdo ditë dhe preferon të lahet me ujë të ftohtë. Ai është gjysh e katragjysh sot.
Për Shefqet Lekën nuk ka ndodhur ndonjëherë që dielli ta gjejë në krevat. Por as shiu dhe era nuk ka ndodhur ta mbyllin brenda mureve të shtëpisë, në katin e katërt në lagjen Kodër të Sarandës.