Moti i keq, pezullohet dalja në det e mjeteve të vogla lundruese në Vlorë

Kapitaneria e portit të Vlorës ka pezulluar të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit të dalin në det mëngjesin e së dielës për shkak të motit të keq, të shoqëruar me erë të fortë.

Në bazë të parashikimit të kushteve hidrometeorologjike në portin e Vlorës parashikohet erë deri 10-15m/s dhe dallgë dhe për orët në vijim, ndërsa përmirësimi pritet të vijë vetëm ditën e nesërme.

Gjithashtu për shkak të dallgëve probleme ka pasur dhe me ankorimin e tragetit të linjës së Italisë për të kryer normalisht zbarkimin e pasagjerëve dhe makinave.

Raportohet se me përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike, trageti do të rifillojë manovrat për përpunimin e pasagjerëve dhe makinave.