50% e plazheve publike, Çipa: Problematika do ekzistojë, duhen hapur sipërfaqe të reja në zonat shkëmbore
Eksperti i turizmit Arben Çipa, për raportin e ri ku 50% e plazheve do të jenë publike dhe 50% private, thotë se problematika e plazheve do të vijojë të ekzistojë për sa kohë që sipërfaqja fizike është e vogël në raport me popullsinë.
Duke folur për emisionin “MCN Economy” ai propozoi hapjen e plazheve të reja në zonat shkëmbore nga subjektet private që kanë mundësi.
“Kemi tipologjinë e plazheve me tre kategori, Shëngjini është ngjashëm me Durrësin. Vlora është më e cunguar në raport me sipërfaqen.
Ndërsa pjesa e Sarandës dhe Ksamilit, sa do që të marrim masa ky problem do të ekzistojë.
Hapësirat janë më të vogla në raport me fluksin turistik i cili shtohet me 10% çdo vit.
Ajo që kemi propozuar është të krijohet një VKM për mundësinë e investimeve për hapësirat e reja të plazheve nga subjekte privatë, ku ajo zonë e bregdetit aty ku është shkëmb të bëhet plazh dhe të investojë kush ka fuqi.
Për sa kohë që kemi sipërfaqe fizike të vogël problemi do ekzistojë. Është problem, nuk balancohet hapësira fizike me popullsinë turistike.
Megjithatë shërbimet bazë në plazhe duhet të ekzistojnë, siç janë beach baret”
Ndërsa duke folur për situatën e plazheve në Greqi dhe konkretisht në Korfuz, ai deklaroi se plazhet janë publike por se hotelet dhe resortet marrin një hapësirë përkatëse nëse e duan.
Në vijim shtoi se për pjesën publike është vetë bashkia që ofron shezlonet njëra mbi tjetrën dhe kushdo e merr një shezlon dhe paguan te punonjësi i bashkisë.
Çipa u shpreh se hotelet nuk i marrin përsipër shërbimet e tjera, si parkingu, pasi nuk i disponojnë sipërfaqen.