“Trashëgimi Kulturore”, deputetja e Sarandes: 51% e menaxhimit nga shteti, pjesa tjetër privati

Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, një nismë e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Në prezantimin e saj deputetja Zhupa u shpreh se, thelbi i ndryshimeve ka të bëjë me faktin që ky ligj krijon tashmë, jo hipotetikisht, por praktikisht mundësinë për dhënien me koncesion të trashëgimisë tonë kulturore.

“Ky ligj krijon mundësinë që fondacionet e krijuara për të menaxhuar trashëgiminë kulturore mund të jenë me përmbajtje mazhoritare privati dhe minoritare shtetin. Pra shteti të jetë minoritar në vendosjen e të drejtave të trashëgimisë kulturore”, tha ajo.

Zhupa solli rastin e Butrintit.

“Në rastin e Butrintit shteti shqiptar nuk ka më zë në trashëgiminë kulturore. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk auditon dot më as fondet materiale, as fondet jomateriale, kjo e vërtetuar nga vetë KLSH me parashtrimet që solli në Gjykatën Kushtetuese. Shteti shqiptar i ka dhënë çdo të drejtë ekskluzive dhe posedimi një fondacioni privat, i cili sot qëllon të jetë ADF-ja, nesër me marrëveshje të tjera mund të jetë çdo fondacion i huaj që shpreh dëshirën apo lakminë për të shtënë në dorë trashëgiminë tonë kulturore”, tha Zhupa.

“Nisur nga Konventa e Parisit, nisur nga parimet e BE-së, nisur nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit unë kam paraqitur këto ndryshime që s’janë asgjë më shumë sesa vendosja qartësisht e faktit që, po, mund të ketë fondacione që ndihmojnë në menaxhimin e trashëgimisë kulture, por këto duhet të jenë gjithmonë fondacione publike, ku 51% të jetë shteti dhe pjesa tjetër mund të jetë privati”, u shpreh Zhupa.

Pra, shtoi deputetja demokrate, “fuqinë kontrolluese gjithmonë ta ketë shteti shqiptar, për arsye sepse kjo është një pasuri publike dhe duhet të menaxhohet në shërbim dhe në funksion të publikut”.

Lidhur me këtë projektligj, Zhupa u shpreh se, “minimalisht për këtë Shqipëria duhet të kishte ndërmarrë konsultime me BE-në në bazë të nenit 101, kur në BE zbatohen modele të përparuara në botë dhe bazuar në UNESCO. Kemi modelet që zbaton Italia, Greqia, Franca”.

Vetë BE, shtoi Zhupa, kërkon që të jemi në përputhje me Konventën e Parisit.

“Konventa e Parisit që është nënshkruar nga Shqipëria i jep rol fondacioneve, por i jep rol në kuadër të donacioneve. Që mund të japin donacione dhe mund të menaxhojnë pjesën e donacionit të tyre. Pra të shikojnë që paratë e tyre nuk po vidhen, nuk po tjetërsohen, qoftë nga donatorë të tjerë, qoftë nga vetë shteti për arsye të tjera”, tha Zhupa.

Zhupa tha se, “Kuvendi në fakt nuk i ka kryer në kohën që është shqyrtuar atëherë marrëveshja e Butrintit funksionet e veta kontrolluese dhe legjislative, sepse e ka marrëveshjen siç i ka ardhur nga Ministria e Kulturës dhe e ka kaluar ashtu siç ishte, pa i hyrë funksioneve të veta legjislative, për të bërë edhe rolin e Kuvendit apo për të rritur rolin e Ministrisë së Kulturës”.

Zhupa kërkoi që të votohet ky ndryshim që, siç tha ajo, “i jep mundësi çdo fondacioni që të japë donacione, të monitorojë paratë e veta, të ketë zë për lobimin e trashëgimisë kulturore, qoftë për ta avancuar atë përpara, por që nuk lejon asnjë fondacion që ta marrë atë në posedim përmbi shtetin shqiptar”.

Zhupa shtoi se neni që kërkon të ndryshohet është një nen antikushtetues, por u shpreh ajo, “nuk pati mundësi të shkonte përpara Gjykatës Kushtetuese për shkak se në kohën kur është miratuar më pas opozita nuk ka qenë pjesë e parlamentarizmit dhe nuk kanë qenë deputetët që të mund ta çonin në Gjykatën Kushtetuese dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka pasur një periudhë bllokimi për shkak të mungesës të gjyqtarëve atje. Kjo ka krijuar ngërçin që kanë kaluar dy vite nga të cilat mund të çohej ky ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe sot ky ligj antikushtetues prodhon ligje të tjera antikushtetuese, sepse bazohen në këtë ligj, siç është rasti i marrëveshjes konkrete.

Por, në fakt, shtoi Zhupa, “ka shkelur nenin 3 të Kushtetutës, që thotë që kur flitet për identitetin, trashëgiminë kombëtare, përgjegjësinë për respektimin, mbrojtjen e vlerave themelore ia ngarkon shteti shqiptar dhe nuk ia ngarkon asnjë privati”.

Ndërsa relatori i çështjes, Blendi Klosi u shpreh se, “shteti shqiptar do të ketë të gjitha funksionet e tij në ruajtjen, në trajtimin, në kontrollin dhe në menaxhimin konform standardeve që ligji i Trashëgimisë Kulture, por edhe konventat evropiane dhe konventat botërore kanë për këto objekte”.

Për Butrintin, Klosi tha se, ka qenë gjithmonë i mbështetur.

“Qeveria shqiptare ka zgjedhur që këtë objekt të jashtëzakonshëm, i cili për hir të së vërtetës në gjithë këto vite tranzicion ka qenë super i donuar, i mbështetur nga fondacione të ndryshme, të cilat në kundërshtim të plotë me atë që tha zonja Zhupa kanë dashur të grabisin objekte të trashëgimisë kulturore, por jo në të kundërtën, kanë dashur të ngrenë lart vlerat e këtij objekti të trashëgimisë kulturore, duam që ky donim të krijohet dhe me rregulla të tjera, të ketë dhe më shumë vizueshmëri dhe vazhdueshmëri me këto donacione, por natyrisht të ketë dhe një menaxhim me standardet më të mira të trashëgimisë kulturore për ta kthyer atë në një objekt që kërkon dhe mirëmbahet në bazë të shumë syve që e vëzhgojnë”, tha Klosi.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa u shpreh se, “administrimi indirekt synon administrimin më efektiv të pasurive kulture, pasi ky administrim në rastin e fondacioneve të posaçme do të realizohet nga subjekte që për shkak të faktit që janë krijuar posaçërisht për këtë qëllim dhe me miratimin e organit më të lartë shtetëror vendimmarrës, përbën një garanci për administrimin efektiv”.

“Ministria përgjegjëse për kulturën nuk është absolutisht e përjashtuar në administrimin dhe bashkëpunimin në funksionimin e këtij fondacioni të posaçëm, duke qenë se është dhe pjesë e bordit drejtues dhe gjithashtu është ngritur dhe një grup monitorimi ndërinstitucional”, tha ajo.

“Çdo ndërhyrje, çdo vendimmarrje që lidhet me administrimin e Parkut të Butrintit është patjetër me miratim, dhe çdo ndërhyrje që bëhet aty kalon nëpër çdo këshill përkatës”, u shpreh Pipa.

Ndaj, tha zv.ministrja, “pretendimi se ky është thjesht një administrim i bërë nga një fondacion dhe shteti është komplet jashtë kësaj, nuk qëndron”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *