Formatohet KZAZ 91 në Sarandë
Nga Thoma Nika
Ditët e fundit është formatuar dhe ka nisur nga puna KZAZ me numër 91, që i përket zonës zgjedhore të Bashkisë Sarandë.
Në krye të Komisionit zgjedhor të zonës 91, është avokati Elvis Kuci, i cili përfaqëson PD.
Ai thotë se struktura e këtij komisioni përbëhet nga 3 përfaqësues të PD, 3 të PS, 1 i PSD dhe ende nuk është plotësuar anëtari i PL, që ai thotë se ka ardhur për arësye teknike.
Kryetari Kuci flet për procesin e shpalljes së listës paraprake të zgjedhësve, duke sqaruar se 7 marsi do të jetë edhe koha kur do të dalin listat përfundimtare.
Kryetari i KZAZ 91 flet edhe për ecurinë e procesit të rregjistrimit të votuesve të diasporës, duke e quajtur shqetësuese që një numër i madh nuk janë konfirmuar për të votuar. Kjo, sipas tij, tregon se sa i nevojshëm është funksionimi i zyrave të subjekteve politike jashtë Shqipërisë, të cilat, duke qenë se votohet për herë të parë, japin konsulencën e nevojshme për aplikimin online, pa dubluar KQZ.
Listat paraprake të zgjedhësve ka disa javë që janë afishuar pranë Bashkisë Sarandë dhe në Njësinë Administrative Ksamil. Pas vërejtjeve të marra nga qytetarët, janë bërë korrigjimet e nevojshme, që pritet të reflektohen në listat përfundimtare.