Drejtësia dhe shqiptarët
Nga Julian Draçi
Ne vorbullën dhe tymnajën e oxhaqeve mediatike dhe politike të kohës, le të hedhim një vështrim mbi raportin historik të shqiptarëve me drejtësine, le të themi në 200 vitet e fundit me një objektiv konkret: Sa të edukuar jemi ne si popull dhe si e perceptojmë ne drejtësinë!
Gjatë sundimit osman, shqiptarët u bindeshin ligjeve dhe rregullave të perandorisë, duke iu nënshtruar gradualisht një regjimi jo vetem juridik, por edhe zakonor , kulturor e social. Në kushte të mosedukimit, mosdijes dhe mungesës së gjuhës së shkruar, drejtësia e asaj kohe arriti disi të funksiononte mirë, pasi perceptimi mbi forcën e sunduesit, e më të fortit, reflektohej në gjenerimin e frikës, e cila për kohen e gjatë të sundimit e pati impaktin e vet.
Përjashtim bën Kanuni i Lek Dukagjinit, i konceptuar mbi të drejtën zakonore të një pjese të popullatës, i ndërtuar kryesisht për të zbutur impaktin e gjakëmarrjes, por jo në funksion të një shteti dhe ligjeve të tij. Gjithsesi botimi i parë i tij i përket vitit 1933.
Më pas, periudha post osmane e karakterizuar nga tranzicione të vazhdueshme dhe refraktaritetin e një popullsie, ku haxhiqamilizmi dominonte edhe si pasoje e rreth 500 viteve errësire, mbërrijmë tek periudha komuniste, ku sundimi i forcës së partisë dominonte mbi fenë, edukimin, kulturën dhe sigurisht, mbi ligjin.
Periudha e 30 viteve të para të post komunizmit do te karakterizohej nga vështirësitë organizative dhe konceptuale të mirëfunksionimit të shtetit, shoqëruar me kontradiktën mes pritshmërive të një shoqërie tashmë të hapur drejt perëndimit dhe tallavasë mbizotëruese të politikës dhe instituconeve të drejtësisë kur në çdo rast, mbizotronte forca e më të fortit, qoftë politikisht, ashtu edhe ekonomikisht.
Dhe mbërrijmë pas vitit 2020, ne çka e quajme drejtësi e re. Dhe këtu lind natyrshem pyetja: A e duam ne drejtësinë? Si e duam ne atë? Në opinionin tim institucione e drejtësisë po kryejnë një metamorfozë të vështirë dhe të dhimbshme, në përpjekje të sforcuar për të patur standarte pasi vet sistemi nuk ia ka siguruar.
Drejtësia nuk është thjesht një çështje ligji. Mënyra jonë e të perceptuarit dhe gjykuarit ende nuk ka kaluar nga epoka e “të fortëve” tek epoka e shtetit europian të së drejtës. Ndaj ajo që po ndodh sot ne Shqipëri nuk është vetëm një reformë ligjore, por një përplasje mes dy realiteteve: asaj qe kemi njohur dhe asaj që po përpiqemi të ndërtojmë.
A do të fitojë drejtësia e vërtetë apo thjesht do të ndryshojë forma e padrejtësisë?