Bledi Çuçi dhe Olti Çaçi takojnë bashkatdhetarët në Korfuz: Thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 majit
Drejtuesi politik i PS për qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në ishullin e Korfuzit, duke i ftuar ata të kontribuojnë me votën e tyre në zgjedhjet e 11 majit. Në një postim në rrjetet sociale, Çuçi theksoi rëndësinë e procesit të regjistrimit në platformën e KQZ-së, duke i inkurajuar të gjithë emigrantët të marrin pjesë aktive në vendimmarrjen politike të vendit.
Ai nënvizoi se Partia Socialiste mbetet forca e përbashkët e shqiptarëve dhe e vetmja që ka qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë, duke garantuar stabilitet dhe zhvillim. Gjithashtu, Çuçi shprehu besimin se PS do të udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2030.
“Gjithë të tjerët që kanë dalë këto kohë për votën tuaj, premtojnë çdo gjë sepse s’kanë asgjë në dorë. Ne premtojmë veç atë që bëjmë dhe kemi në dorë të çojmë përpara,” shkroi Çuçi, duke theksuar angazhimin e PS-së për projekte konkrete dhe të realizueshme.
Procesi i regjistrimit të votuesve shqiptarë jashtë vendit është në vijim, ndërsa përfaqësuesit politikë vijojnë takimet për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjerë në zgjedhjet e ardhshme.