Shkolla që po prodhon profesionistë për turizmin e Sarandës

Nga Thoma Nika

Turizmi në Sarandë ka të sotme dhe të ardhme, edhe falë kësaj shkolle profesionale që funksionon si një ofertë për qytetin bregdetar. Ajo mban emrin e shqiptaro-amerikanit Antoni Athanas, që mbetet projektues dhe mbështetës për t’i dhënë biznesit vendor profesionistët e rinj të industrisë turistike.
Sipas drejtores së re Rudina Liçaj, e ardhur pak kohë më parë nga fusha e biznesit turistik, tani është shtuar me një klasë më shumë. Ndërkohë që janë shtuar profilet që ajo përgatit, për herë të parë këtu ka startuar puna për përgatitjen e ndërmjetësuesve të pasurive të paluajtshme, si një kurrikul që ndiqet pas të mesmes.

Duke ndryshuar drejtimin dhe fuqizuar promovimin, kjo shkollë ia ka dalë të lerë prapa pikëpyetjet nëse duhej të ekzistonte. Tani nxënësit e kësaj shkolle vijnë nga të gjitha qytetet e fshatrat e rajonit jugor të vendit dhe jo pak nxënës kanë refuzuar gjimnazin, për shkollën që jep profesion. Hopin e bërë drejtoresha Liçaj e lidh më së shumti me konkursin e organizuar me të rinj të pasionuar, që performuan duke risjellë receta të gjysheve të tyre. Ekspozimi i avantazheve si shkollë e modernizuar pas investimit serioz prej 1 miliard lekë për rikonstruksionin që i ndryshoi faqen dhe krijoi tërë infrastrukturën në një institucion që të jep profesion, nisi të ndryshojë sjellja e mjaft prindërve, të cilët, megjithë që zotërojnë një aset turistik, fëmijët i orientonin drejt gjimnazit, ndërkohë që ka ardhur në rritje edhe vullneti i vetë fëmijëve, që e shohin veten si sipërmarrës të shkolluar për pasurinë familjare.

Shkolla Profesionale Hoteleri-Turizëm “Antoni Athanas”, nga mënyra e disenjimit të mjediseve të brendshme e deri tek kabinetet e specialiteteve të veçanta, të kompletuara me pajisje të standartit më të lartë të mësimdhënies, të krijojnë ndjesinë se gjendesh njëherësh në mjedise të disa bizneseve turistike të klasit të parë, ku thua se shërbimi turistik kthehet në art dhe kënaqësi.

Me ndjesinë dhe kënaqësinë se kanë bërë zgjedhjen e tyre më të mirë për jetën dhe profesionin, ishin edhe nxënësit, që u shprehën plot sinqeritet para kamerës së Blu TV.

Nga nxënësit që përgatiten në këtë shkollë profesionale të Turizmit, ka sytë dhe vëmendjen i gjithë biznesi i Turizmit që ka Saranda e Ksamili, pasi po kthehet në bindje se këtu shkollohen dhe përgatiten profesionistët e rinj të kësaj industrie.