Saranda, në start për një vit më të mbarë turistik
– Në intervistë me Zj. Eliana Shkurti, Drejtore e Kabinetit të Bashkisë-
Janari i vitit 2025 ka jo vetëm gjurmën, por edhe jehonën e vitit më të mirë turistik, siç ishte 2024-a. Biznesi vendas, pushteti vendor dhe secili gjen veten në suksesin e sloganit dhe ofertës All in one (Të gjitha në një). E kjo po kthehet në një arësye dhe motivim që qysh në janar të merret starti për një vit edhe më të mbarë se ai pararendës.
Në intervistën për Blu TV, Shefja e Kabinetit të Bashkisë Sarandë, zj. Eliana Shkurti, tregon se si e tërë puna e bërë dhe e vlerësuar për 2024, po kthehet në një eksperiencë të vlefshme për të bërë Sarandën 2025 destinacion turistik të 365 ditëve.
Saranda 2025 pritet të jetë vendi i pushuesve dhe vizitorëve nga Europa, nga vendet skandinave, nga Amerika e nga cdo vend i Globit, pasi vlerësohet që ajo ka detin, liqenin dhe lumenjtë, ka klimën, historinë dhe arkelogjinë, asetet kulturore, agroturizmin, shërbimin dhe mikpritjen.
Saranda tashmë është një prej brandeve të iurizmit shqiptar. Suksesi i këtij turizmi në masë të madhe i dedikohet punës së bërë për marketimin e destinacionit dhe promovimi nga mediat vendase e ndërkombëtare.
Marsi nuk konsiderohet se është larg. E prandaj në Bashkinë e Sarandës ka nisur qysh tani puna për ta prezantuar sa më cilësisht këtë destinacion në Panairin më të rëndësishëm të vitit, që është ai i Berlinit, ku Shqipëria pritet të ketë një vend nderi.
Është shumë e dallueshme që Saranda 2025 është me ambicien që t’i marrë më të mirën këtij viti të ri turistik në rrugën e vet ngjitëse në këtë hierarki.