Olti Çaçi takime në Athinë: Diaspora shqiptare informohet për mundësinë e votës në zgjedhjet e 11 majit
Kryebashkiaku i Sarandës, Olti Çaçi, zhvilloi takime me bashkatdhetarët në Athinë për t’i informuar mbi procesin e regjistrimit në platformën e KQZ, që do t’i japë diasporës shqiptare mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Ky është një moment historik, pasi për herë të parë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të shprehin vullnetin e tyre në proceset zgjedhore të vendit.
Në takimin me emigrantët shqiptarë, Çaçi theksoi rëndësinë e kësaj mundësie për të forcuar lidhjen mes diasporës dhe vendit të origjinës, duke i bërë thirrje të gjithëve të regjistrohen dhe të kontribuojnë në procesin zgjedhor.
“Të gjithë së bashku për t’i dhënë PS mbështetjen më të madhe dhe për të çuar përpara projektin për Shqipërinë,” u shpreh Çaçi, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.
Kjo iniciativë e PS-së është pritur me interes nga komuniteti shqiptar në Greqi, duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të diasporës në vendimmarrjen politike të Shqipërisë.