Nikolin Kote: Mjeku që i vjen Delvinës nga fushëbetejat e Ukrainës

Ai është sot vetëm 33 vjeç. Mjek i Urgjencës në qytetin e vogël të Delvinës, ku ka futur një standart të ri pritjeje dhe trajtimi, edhe pse në kushtet ku shumë gjëra janë të munguara. Por shërbimi i dedikuar për shëndetin e njeriut, jo.

Pasi Doktor Nikolini është vënë në shërbim të njerëzve me tërë pasionin, njohuritë dhe aftësitë që ka fituar në fakultet, në specializime të ndryshme dhe në bashkëpunim me kolegë të huaj.

Dy vite më parë ai ishte mjeku i fushëbetejave në Ukrainë, ku shërbeu si vullnetar.

Më tej aplikoi dhe nuk i tha “jo” emërimit në një qytet krejt të panjohur si Delvina. Vetëm në dy vite punë ka reformuar çdo gjë në shërbimin e urgjencës dhe ia ka dalë të bëjë edhe ndërhyrje të vështira.

Në një qytet të vogël me sëmundshmëri të lartë, mjeku i ri dhe me pasion e përkushtim të madh, ishte ai që i duhej Delvinës.

Ai tregon se për të kapërcyer vështirësitë e ardhura nga mungesat e mëdha në pajisje e mjete mbështetëse, e ka ndihmuar edhe besueshmëria e kolegëve nga Çekia, nga Gjermania etj.

Ndërsa ai tregon se mbështetje e tij e pazëvendësueshme bëhen edhe banorë të Delvinës, në shkëmbim të asaj që ai bën përditë për shëndetin e tyre.

Pikërisht sot Nikolini u nis në udhëtim drejt Amerikës. Jo për turizëm, por sepse atje gjendet një mik i tij, mjek shqiptar, që ka mbledhur donacione për Spitalin e Delvinës.

Korçari Nikolin Kote i pati në

qytetin e tij eksperiencat të para si mjek. Fillimisht si mjek familjeje në Korçë, pastaj fitoi një konkurs për të punuar mjek dialize po aty. U specializua më tej për emergjencat dhe punoi për 4 vite në Zvicër, ku drejtoi edhe një klinike atje, përveçse mjek emergjence.

CV-ja e tij u pasurua me një specializim të shkurtër në Gjermani për kirurgji të përgjithshme, me shërbime në disa spitale private dhe shtetërore në Shqipëri, përpara se të vinte në Delvinë, ku thonë se “Nikolini është fati ynë”.

Mes delvinjotëve Mjeku Nikolin Kote është bërë si “mjeku i mrekullive”, duke fituar simpatinë dhe admirimin e të gjitha moshave.

Për shërbimin e dedikuar që ofron dhe për cilësitë shëruese sa me dijet, edhe me fjalën e sjelljen e mirë, që gjithashtu shëron.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *