Iku sot nga mezi ynë, ëngjëlli i mbrojtjes së shëndetit, duararta, Suzana Miça (Kavo)

Nga Shpresa Dine

Ditë e dhimbshme në këtë 20 janar. Trishtim në sytë e qytetarëve sarandiotë. Sapo mësuam lajmin e kobshëm për ikjen nga mezi ynë i engjëllit të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës, Zana, siç njihej nga secili prej nesh.

Ndjemë peshën e dhimbjes, madje edhe u përlotëm pasi iku një zonjë e nderuar, që jetën e saj ia përkushtoi qytetarëve nga çdo cep i rrethit të Sarandës, Kush shkoi në spitalin e qytetit dhe nuk takoi buzagazen, Zana, e cila i priste si të ishin të familjes së saj, pa dallim, me përkushtim dhe dashuri njerëzore. A ka ndonjë qytetar të Sarandës mos të ketë ndjerë dorën e lehtë dhe kujdesin e infermieres së kirurgjisë, Zana Miça.

Përkushtimi i saj është i pakrahasueshëm me askënd tjetër. Dhe jo vetëm vullneti i mirë, po së pari profesionalizmi i spikatur, cilësi njerëzore këto që e bënë atë të njohur nga të gjithë ata që patën nevojë për kujdesin e saj. Zana qëndronte plotë përkushtim mbi kokën e çdo të sëmuri. Ajo i përngjante rujajtjes së jetës, apo siç thoshin dhe e thonë ish – pacientët e saj të shumtë dukej si “xhindi” që ruante llampën e Aladinit të mos fikej.

Kështu për vite 40 vite me radhë, ishte përditshmëria e saj duke ngjitur dhe zbritur shkallët e spitalit, dhe në çdo moment vetëm me atë buzëqeshjen e karakteristike që vetëm ajo dinte ta jepte me dinjitet. Mund të ishte natë apo ditë me shi madje shumë ftohtë, apo vapë behari por një thirrje dhe Zana do të shkonte shtëpi më shtëpi me garzat dhe gërshërët në dorë, me serumet dhe shiringat për t’u shërbyer atyre që kishin nevojë.

Ajo hynte në çdo familje me hapat e saj të lehtë, pa ndroje dhe pa bërë asnjë dallim. Me qëllimin e vetëm t’u shërbente atyre që i kërkonin ndihmë. Sa netë qëndroi zgjuar mbi kokën e të sëmurëve rëndë dhe sa kujdes tregoi për secilin?! Edhe viti i mbrapshtë i 1997 kur secili prej nesh ishte strukur në shtëpinë e vet duke u ruajtur nga keqbërësit që endeshin nëpër qytet me armë në krahë, kjo Zanë që ka mbyllur sot sytë nuk iu shmang thirrjeve për ndihmë për këdo që e kërkoi ndihmën e saj. Guximtare dhe me njohuri mjekësore në përfeksion si infermiere.

Ishte, ajo, Zana, infermierja me dorën e lehtë që dinte, jo vetëm të mjekonte, por edhe të shëronte me kurajon dhe fjalën e ëmbël. Kush nuk e takoi Zanën, infermieren me përparësen e bardhë si dëbora dhe nuk ndjeu respekt për atë që të jepte jetë nga jeta e saj. Kështu ishte Zana, qysh në bankat e gjimnazit të Sarandës. Në shkollën për infermiere në Gjirokastër. Në lagje e në qytetin tonë. Kurajoze deri pa kufi. Shpirt plot ndjeshmëri.

E aftë sa vetë ajo. E bija e Sinanit dhe Lirisë, të respektuar, motër e vetme e dy vëllezërve, bashkëshortja e specialistit të njohur të blektorisë, Thanas Miça nga Sopiku. Nëna e dy vajzave të mrekullueshme. Infermieres Aida, sot e punësuar në Itali dhe Ana, psikologe, të cilat i shërbyen Zanës me të gjitha mundësitë e veta.

Qytetarja emërmirë. Infermierja model. Bashkëshortja e përkushtuar. E bija e dy prindërve të respektuar, gjyshja e dhimbsur e dy mbesave engjëllore, Rebeka dhe Irisi.

Zana do të mbahet mend, jo thjeshtë për atë që dha shpirtërisht në shërbim të shëndetit dhe mbrojtjes së jetës së qindra qytetarëve, po së pari si humane dhe e papërtuar, si duarartë dhe e përkushtuar. Sot, familja humbi Zanën e dashur. Qyteti një qytetare model. Shoqëria një mikeshë dhe shpirtbukur.

Personeli shëndetësor kolegen e tyre të respektuar. Ne që e njohëm kurrë nuk do ta ndajmë nga kujtimet tona. Dhe asnjëherë nuk do themi “ iku përgjithëmonë”. Se për Zanën, të gjithë jemi besimplotë se do ngjitet në yllësi dhe sa jetë të ketë mbi dhe do mbetet e shtrenjtë dhe e pavdekshme për të gjithë ne.

Udhëtim të lehtë në rrugëtimin drejtë parajsës, e mira dhe e virtytshmja, Zana Miça (Kavo)!