Qarku i Vlorës, si e “blindoi” Edi Rama bastionin e Partisë Socialiste
Qarku i Vlorës ka qenë gjithmonë një bastion i fortë i Partisë Socialiste, ku fitoret ndaj kundërshtarëve politikë janë shoqëruar me diferenca të mëdha.
Jo më kot, edhe kryeministri Edi Rama ka qenë deputet i këtij qarku, duke e përmbyllur gjithmonë fushatën elektorale në qytetin e Vlorës.
Ky qytet ka marrë investime të shumta nga qeveria e tij, duke kaluar në një transformim të jashtëzakonshëm dhe duke u shndërruar në një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm turistik.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste ka vendosur të forcojë pozitat e saj në këtë qark, duke emëruar të paktën tre drejtues politikë.
Në krye të këtij angazhimi është Bledi Çuçi, i cili ka nisur prej kohësh punën në këtë qark.
Së fundmi, kryeministri Edi Rama ka emëruar edhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngun, si një figurë të rëndësishme në këtë betejë politike.
Në një zhvillim të ri, Sarandanews.com raportoi dje se Ardi Veliu, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, do të bashkohet me këtë dysheje si një nga koordinatorët elektoralë të PS-së në Vlorë.
Veliu do të udhëheqë përpjekjet për mobilizimin e votuesve për zgjedhjet e 11 majit, duke sjellë përvojën dhe autoritetin e tij në këtë proces.
Ky “blindim” i qarkut të Vlorës nga ana e kryeministrit Rama synon të sigurojë një rezultat të fuqishëm për PS-në, me objektivin për të fituar 9 mandate, një mandat më shumë se në zgjedhjet e para katër viteve.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike duket se ka besuar sërish drejtimin e qarkut në duar të Bujar Leskajt, që do të jetë kundershtari i PS-së në këtë fushatë.