Zgjedhjet në Himarë, Celibashi: Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika
Zgjedhjet e pjesshme të Himarës janë në proces dhe gjatë dy orëve të para nuk është regjistruar asnjë incident i dukshëm.
Edhe procesi teknik duket se po kalon pa shqetësime dhe këtë e konfirmon kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Ai thekson se nuk ka pasur asnjë problematikë dhe procesi do mbyllet sipas orës së parashikuar, 19:00 dhe po vijon procesi i votimit në të 36 qendrat e Bashkisë Himarë.
“Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës”, shkruan Celibashki në profilin e tij zyrtar, të rrjetit social Facebook.
Pas humbjes së mandatit nga Fredi Beleri, për bashkinë po garojnë biznesmeni Petro Gjikuria nën siglën e opozitës dhe ish-prefekti Vangjel Tavo nga mazhoranca.