“Nënën e gjeta të vrarë në mes të shtëpisë”/ Dëshmia e Klement Islamajt: Babai u pengua, s’doja ta vrisja

Është zbardhur dëshmia e dhënë për grupin hetimor e 41-vjeçarit Klementin Islamajt nga fshati Shalës i Konispolit, i cili ditën e djeshme vrau babanë e tij, Hysen Islamaj, 69 vjeç, duke e shtyrë nga shkallët, pasi ky i fundit i kishte vrarë me sopatë nënën e tij 66-vjeçare Shano Islamaj.

Me lot në sy para efektivëve, Islamaj ka dëshmuar se nuk donte që ta vriste të atin, por sipas tij, ky i fundit është penguar, pasi ai e ka shtyrë për ta larguar nga vetja. Gjithashtu, ai ka dëshmuar se i ati ka qenë i dhunshëm me nënën e tij.

“Vetë jam prind i dy fëmijëve dhe jam i divorcuar. Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja.”, mësohet se është shprehur Klementin Islamaj.

Krimi i rëndë në familje ndodhi mëngjesin e 6 gushtit. Gjatë një sherri në banesë, 69-vjeçari, Hysen Islamaj ka goditur disa herë me sëpatë bashkëshorten Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur në vend. Skenat e tmerrshme ndodhën para fëmijëve të Klementin Islamajt, të cilët jetonin në banesë me gjyshërit. Burimet thane se ka qenë mbesa 10-vjeçare, që ka telefonuar të atin duke i thënë se gjyshi ka vrarë gjyshen. Klementin Islamaj i cili gjendej në kafen e fshatit është kthyer në banesë dhe pasi ka gjetur nënën të pajetë dhe për këtë arsye dyshohet se ka shtyrë nga shkallët të atin, i cili për shkak të goditjes në kokë humbi jetën.