Zgjedhje në kulm të sezonit, Himara pritet të zgjedhë mes Vangjel Tavos dhe Petro Belerit

Nguti që përfshiu institucionet kryesore të shtetit për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Himarës, menjëherë pasi KQZ i dha fund mandatit të Fredi Belerit, u shoqërua me interpretime ligjore e deri në akuza për antikushtetuetshmëri.

Por data 4 gusht është dekretuar nga presidenti Bajram Begaj, ndërsa pritet që KQZ të caktojë nisjen zyrtare të fushatës dhe afatet për regjistrimin e kandidatëve. Edhe pse Beleri ka deklaruar se do të ndjekë shkallët e ankimit, duket se nga të dyja kampet gjithçka është gati që kur Gjykata e Apelit e dënoi me burg në një vendim të formës së prerë.

Si nga mazhoranca dhe opozita janë përfolur emrat më të mundshëm që do të përballen në betejën e 4 gushtit. Edi Rama i dha sinjalet nga Himara për prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo.

“Doni Vangjel për punë ja ku e keni, doni Vangjel për sherr, prisni një Vangjel me vetulla të rënda që do t’u sjellë sherrin”, tha Rama pak kohë më parë.

Edhe kampi opozitar duket se ka qenë i përgatitur për skenarin më të keq, pasi djali i Alfred Belerit prej javësh ka dalë në skenën politike. Vetë Petro Beleri për mediat greke ka pranuar se ai mund të jetë kandidat për kryetar bashkie, por edhe zyrtarët e opozitës nuk e mohojnë emrin e tij si “kalin e betejës” në Himarë. Vangjel Dule ishte zëri i fundit që nuk mohoi kandidimin e Petro Belerit.

“Ju them me siguri, që cilindo nga qytetarët e Himarës që do të zgjedhë PBDNJ dhe koalicioni opozitar për të kandiduar do të jetë fitues nga ndaj çdo kandidati dhe ndaj vetë zotit Rama. Përse? Sepse kemi dy qëllime të qarta, grabitjen e pronës dhe mbrojtjen e pronës”, tha Dule.

Prej 14 muajsh Himara është duke u qeverisur me kryetar të komanduar, pasi Alfred Beleri që arriti të fitonte në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të shkuar nuk mundi që të betohej pasi u arrestua dhe u dënua me dy vite burg për korrupsion në zgjedhje.

Në burg përfundoi edhe kryetari në detyrë, socialisti Jorgo Goro. Por bashkia përsëri nuk pati qetësi. Ajo tani po drejtohet nga Arqile Bollano, pasi dorëheqjes nga drejtimi edhe të nënkryetares Blerina Bala.

Saga ligjore e Belerit mori fund të premten pasi KQZ konstatoi pavlefshmërinë e mandatit të tij. ndërsa autoritetet greke bëjnë thirrje të lejohet që të bëjë betimin si deputet i Parlamentit Europian.