Sezoni turistik, Çipa: Shifrat e turistëve, jo në nivelin e parashikuar. Shkak dhe abuzimet me çmime
Shqipëria është në kulmin e sezonit turistik të saj, por duket se shërbimet hoteliere dhe restorantet po punojnë me 70 % të kapacitetit të tyre. Për kryetarin e Shoqatës së Turizmit Sarandë, Arben Çipa kjo vjen për shumë arsye, por kryesorja mbetet abuzimet me çmimet e hoteleve, restoranteve dhe transportit.
Në një intervistë për RTSH 24, Çipa tha se shifrat e turistëve aktualisht janë më poshtë se parashikimet, ndërsa shtoi se edhe në zonat si Saranda dhe Ksamili ku po punojnë me kapacitete thuajse të plota nuk ka gjenerim të ardhurash. Kjo ndodh, tha ai, pasi turistët janë kryesisht të rinj që nuk shpenzojnë shumë, ndërsa shtoi se dhe operatorët e këtyre shërbime hoteleri-turizëm duhet të mos abuzojnë me çmimet pasi kjo sjell shembull negativ për vendin tonë.
“Parashikimet që bëhen në muajin mars na tregoi se do të ishim në prenotime 100 % por sot shohim një realitete tjetër, jo pesimist por ndryshe nga ajo që kishim parashikuar. Po të marrim Shëngjinin e ka kapacitetin e hoteleve dhe akomodimeve 60 %, në Durrës thuajse është inekzistente pra nuk është e mjaftueshme, Golemi është 70-80 % e prenotimeve. Në Vlorë ka mungesë turistësh në nivelet që ne prisnim, në Himarë kemi 30 % ndërsa në Sarandë dhe Ksamil kemi 30 % më tepër nga viti i kaluar por nuk ka gjenerim të ardhurash, pra kemi turistë të moshës së re që nuk shpenzojmë ashtu siç i duhet kësaj zone. Besojmë se së shpejti do të ndryshojë gjenerata e vizitorëve dhe do të kemi moshë më të madhe që do të shpenzojnë më tepër dhe do të kemi të tjera gjenerime të të ardhurave”, tha Çipa.
Po a është kthyer në një bumerang publiciteti i mediave të huaja për Shqipërinë si një “vend që i ofron të gjitha por me çmime të lira? Për Çipën në këtë rast ka një mos akordim mes pritshmërive të turistëve për vendin dhe efekti i reklamës. Ai sqaroi se çmimet e ekzagjeruar përcillen nga turistët duke ndikuar në turizmin e vendit.
“Kur flitet për një destinacion, prezenca e vizitorit dhe largimi tyre sjell një “zhgënjim” pasi pritshmëritë e tyre janë krejt ndryshe nga cilësia dhe çmimet që janë në realitet. Çmimet janë të ekzagjeruar të rritura dhe kthehet në një opinion të dytë dhe kjo përcillet tek njerëzit e tyre dhe shpërndahet në një mesazh që nuk është i keq por shkon në kohë reale. Ka abuzime me çmimin ,me shërbimin, transportin dhe kjo nuk tolerohet. Të gjithë pushuesit që prekin territorin tonë janë me eksperiencë në destinacione të ndryshme dhe e ka një ide se sa kushton një taksi dhe nuk ka arsyer që kur vjen për herë të parë të ndeshet me një ekzagjerim transporti. Këto nuk ndihmojnë në opinionin pozitiv të një destinacioni turistik Ka vend për të punuar, ka vend për të kontrolluar abuzimet dhe sjelljen tonë turistike”, tha Çipa.
Lidhur me turizmin elitar, Çipa tha se ai është thuajse inekzistent në Shqipëri.
“Turizmi elitar është inekzistent në Shqipëri, po investohet në këtë drejtim , kemi zona si Palasa, Gjiri i Lalzit që i drejtohet turizmit elitar, por turizmi masiv i të huajve nuk po sjell një turizëm elitar, ka hapësira për këtë lloj turizmi por është një përqindje kaq e vogël pasi ata janë thjeshtë kalimtar dhe nuk gjenerojnë të ardhura serioze për zonat ku ndodhin këto”, u shpreh ai.