Sarandë, suveniret me guaska deti, më të preferuarat e kësaj vere

Tregu i tezgave është organizuar që suveniret turistike të shoqërojnë turistët e kësaj vere, edhe kur ata shijojnë bukuritë e Sarandës, duke ecur gjatë ditës apo mbrëmjeve në shetitore.

Tezga e artizanit Dritan Onjea është ndër më tërheqëset e këtij tregu.

Ai thotë se kjo e ka një arësye: sepse suveniret që ai ofron, në shumicë janë me bazë guaskën e detit.
Produkti më i ri i realizuar prej tij është brezi i bërë me guaska, i cili ka një tërheqje befasuese, sipas tij.
Tezga e suvenireve turistike e Dritanit instalohet prej majit deri në tetor, buzë shetitores së Sarandës. Suveniret e tij thotë se janë tërësisht artizanale.
Vjeshta dhe dimri janë stinët kur ai vihet në kërkim të lloj-lloj guaskave, nga Saranda e Himara, deri në Ulqin.

Mjeshtërinë e punimit edhe në sytë e turistëve të suvenireve me guaskë, Dritani thotë se ua ka mësuar edhe djemve të tij, duke e zhvilluar si biznes famijar. Madje ka ngritur kurse mësimi falas për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” në Sarandë.

Dritan Onjea ka marrë një varg çertifikimesh, deri tek titulli “Mjeshtër” dhe përfaqëson Sarandën çdo vit në Panaire kombëtare e ndërkombëtare.