Sajuan dokumentacionin pas përfundimit të tenderëve, dërgohen për gjykim zyrtarët e Bashkisë Finiq

Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) njoftoi të martën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë ish-zyrtarë të bashkisë së vogël të Finiqit në jug të Shqipërisë nën akuzën se kanë kryer procedura prokurimi të rreme duke paracaktuar kompanitë fituese dhe duke sajuar dokumente në emër të punonjësve të tjerë, të cilët, pa dijeninë e tyre, kanë funksionuar si anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave.

“Në Bashkinë Finiq gjatës periudhës 2017-2019 janë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike”, deklaroi SPAK.

“Në analizë të provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak rezulton e provuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga të pandehurit Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës. Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, i pandehuri ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit,” shkruhet më tej në njoftim.

“Rezulton e provuar se vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga shtetasit e caktuar si anëtarë te KVO-së por është kryer defacto nga i pandehuri Florian Peri duke përdorur IP e Bashkisë Tiranë (ku ka qenë i punësuar më parë) apo të kompanive në pronësi të familjarëve të tij,” sipas prokurorisë.

Bashkia Finiq u krijua në vitin 2015 me reformën administrative dhe përbëhet nga ish-komunat Livadhja, Dhivër, Aliko, Finiq dhe Mesopotam. Ajo banohet kryesisht nga minoriteti grek në Shqipëri dhe shtrihet kryesisht përgjatë fushës së Vurgut.

Bashkia ka 11 mijë banorë sipas censit dhe 35 mijë banorë sipas regjistrit civil.

I pandehuri Leonidha Hristo u zgjodh kryetar në vitin 2015 për koalicionin e majtë të përbërë në atë kohë nga PS, LSI dhe parti të tjera. Ai garoi për koalicionin Berisha-Meta në zgjedhjet e vitit 2023, dhe mori 32% të votave. Zgjedhjet në atë rast u fituan nga kandidati i partisë MEGA, në aleancë me PS me 38% të votave.