Rama: Pushuesit vendas e të huaj po shijojnë plazhet e kristalta në Sarandë e Ksamil
Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një video nga plazhet e Ksamilit dhe Sarandës, të cilat janë të mbushura plot me turistë.
Në këtë video disa nga turistët e huaj kanë folur për eksperiencën e tyre në këto plazhe të kristalta, ku shprehen tepër të kënaqur dhe të lumtur.
“Vend i dashur, i bukur dhe i paqtë”, shprehet një turiste e huaj, e cila po pikturon në bregun e detit.
“Ka një pamje shumë të bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe çmimet janë shumë të ulta. Më bukur s’ka në botë”, shprehet një turist shqiptar nga Kosova.
Një tjetër turiste e huaj shprehet se, “ky është udhëtimi i parë në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur. Ky plazh është shumë i pastër dhe ata që shërbejnë janë shumë të sjellshëm”.
“Vijmë enkas sepse ky vend është 100 herë më i bukur dhe çmime janë shumë të arsyeshme”, tha një tjetër turist shqiptar.
Një turiste franceze vlerëson Ksamilin si një nga ishujt më të bukur që ka vizituar.
“Ksamili është një vend shumë i bukur, mori është shumë i mirë, njerëzit janë shumë të dashur dhe plazhet fantastike”, tha një tjetër turist i huaj.
Një turist nga Norvegjia vlerëson çmimet e ulëta. “Të qëndrosh këtu është thuajse falas”, shprehet ai.
Një pushuese nga Kosova shprehet se, ” Sarandën nuk e ndërrojmë me asgjë tjetër. Deti i pastër, uji i kthjellët, njerëzit të presin mirë. Pse duhet të shkosh diku tjetër? S’kemi nevojë të shkojmë nē Itali apo Francë, kur kemi vendin tonë, Rruga ishte super nga Kosova, 5 orë e gjysëm nga Ferizaj. Pastërtia nuk ka dallim prej Kroacisë”.
“Mirëmëngjesi dhe me entuziazmin e pushuesve vendas e të huaj nga Saranda dhe Ksamili, të cilët po shijojnë plazhet e kristalta, klimën fantastike të bregdetit dhe gjithë ofertën turistike duke ndarë këto përjetime të sinqerta, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.