Jolio Dine “shpërthen” kundër Ina Zhupës
Nga Jolio Dine
Kisha vendosur prej kohësh mos të merresha me një defiçente politike dhe intelektuale që i ka rënë për barrë Sarandës për ta përfaqësuar në Parlament.
Por ja që e kam të pamundur të shoh dhjetra demokratë, ata me të cilët kam ndarë vite shumë te vështira opozite, teksa vuajnë prej kohësh veprimet fëmijënoro-groteske të zonjës që kanë 3 vjet që e tallin në Parlament e jashtë saj deputetë të mazhorancës e opozitës.
Në fakt fajet nuk i ka fëmija i përkedhelur, por i kanë prindërit që rrinë e shohin e qeshin me të. Fajet nuk i ka zonja në fjalë, por drejtuesit e Partisë Demokratike që bëjnë sehir dhe zgjedhin të përkrahin këtë fëmijë të llastuar e jo dhjetra demokratë të cilët kur vijnë zgjedhjet, i duan në rresht para fletës së votimit.
Zonjën në fjalë kam pasur rastin ta kem bashkëkandidate për deputete në zgjedhjet e 2021. E kisha njohur dy-tre vite para zgjedhjeve dhe kisha një komunikim normal me të, por nga marrëdheniet e më passhme kuptova se sa jo normale ishte ajo vetë. Kisha heshtur gjatë për historinë e 2021, por kuptoj se ai nuk ishte një rast i izoluar, por pikënisje e pasojave të sotme.
Në 2021 zonja në fjalë nuk la më anëtar të strukturës së Partisë Demokratike pa i premtuar se do bëhej Drejtor apo Shef. Pa zgjedhjeve takova 6-7 Drejtorë ASHK me “në mendje”. Solli njerëz nga qytete të tjera për të takuar shokë të mitë (në një rast nga Vlora) duke u thënë “Flisni çfarë doni vetëm mos votoni Jolin”. Intimidoi strukturat e degës lokale për të mos më bërë mua pjesë e takimeve elektorale dhe ngriti një shtab elektoral vetem me të përzgjedhurit e saj edhe pse ishim dy kandidatë që përfaqesonim Sarandën, Konispolin, Finiqin e Delvinën. Përdori faktin e të qenit deputete e sigurtë në listë, duke kërkuar vota me togfjalëshin: “Joli është i 7-i, nuk del dot, mos e votoni”. Me një deputete të sigurt në listë, demokratët e thjeshtë por edhe ata të strukturës, me të drejtën legjitime se kishin 8 vjet pa punë e deputetja do te ishte ajo që do garantonte shumë emërime, zgjodhën në masën gati 90 % të shkonin pas saj.
I vetëm në fushatë, pa asnjë financim partiak, pa anëtarë kryesie me vete, por me disa miq të mirë demokratë qëndrestarë por edhe nga ata pa parti, e sigurisht me qytetarë të thjeshtë e të ndershëm të Sarandës, Konispolit, Delvinës e Finiqit, arrita të përmbyllja 1 muaj pune të lodhshme për fushatën e 2021.
Zonja në fjalë, bashkë me disa kamikazë politikë të saj, kontrolluan 100 % listën e komisionerëve e numëruesve ditën e zgjedhjeve, ndërsa unë sigurisht nuk pata fuqi vendimarrëse për asgjë.
Pas zgjedhjeve, KQZ rihapi 45 kuti nga 445 në total në Qark, ku rezultoi se në këto kuti, pra rreth 10 %, mua më kishin hequr 7 vota dhe zonjës i kishin shtuar 26. Po në 445 kuti?!
E megjithatë, ajo me një ushtri partiake nga pas, e unë i vetëm me disa miq të mirë, ajo e dyta në listë e unë i shtati, ajo me komisionerë hajdutë e unë pa komisionerë, e rezultati ishte ky në 4 Bashkitë e zonës:
Bashkia Sarandë: Zonja 1597 vota – Jolio 1250 vota
Bashkia Konispol: Jolio 451 vota – Zonja 442 vota
Bashkia Delvinë: Zonja 278 vota – Jolio 213 vota
Bashkia Finiq: Zonja 232 vota – Jolio 83 vota
Pra Zonja humbi në Bashkinë Konispol, e në tre Bashkitë e tjera mori vetëm 561 vota më shumë se kandidatura ime.
Drejtuesit e Partisë Demokratike bëjnë mirë të reflektojnë shpejt, ndryshe e gjitha kjo do u kthehet në boomerang. Ose të zgjedhin një defiçente politike, ose të zgjedhin demokratët, rrugë të ndërmjetme nuk ka!