Ja çfarë mendova duke parë veten në autorrëfim
Nga Thoma Nika
Nuk e fsheh se u ndjeva i përkëdhelur që Premiera e Dokumentarit “PENA”, me mua në qendër, u shfaq më së pari para kolegëve dhe miqve e njerëzve të mi të zemrës. Me mjaft prej jush kemi ndarë vite të vështira të kohëve, sfida të rritjes profesionale dhe të plotësimit të vetes si gjurmues të jetës dhe si qytetarë.
Ne kemi qenë që, pasi jemi kthyer nga fusha, nga stani, pasi kemi zbritur nga avioni i spërkatjes, pasi jemi kthyer nga një natë gjuetie me peshkatarët në det apo pasi kemi dalë nga galeria e minierës së kripës, kemi gdhirë natën në shtypshkronjën e gërmave të plumbit, për të kapur mëngjesi numrin e ri të gazetës “Fitorja”.
Ne kemi qenë, që, në nisje të epokës së shtypit të lirë, tentuam ta provojmë këtë liri duke u bërë, së bashku me Koço Kostën e Petraq Beretin, sipërmarrës të botimit të një gazete me frymë lirie, që quhej “Joni Saranda”. Miku dhe kolegu ynë, gazetari korfiot Stefanos Pulimenos, që sot është Kryetar i Bashkisë së ishullit përballë Sarandës, na u gjend në krah. Falë bujarisë dhe fisnikërisë së tij, në vitin 1994, kur kompjuteri ishte për ne një pajisje “gogol”, m’u dha çdo akses të mësoja programin e faqosjes së gazetës (Page Maker). M’u desh të atashohem për rreth një muaj në redaksinë e gazetës që zoti Pulimenos botonte në Korfuzin, që qysh atëhere gjendej në majat e turizmit.
Nuk mund ta harroj as bujarinë e Arben Çipës, që atëhere ishte kamarieri ekselent i lokalit “Tripa”, ndër më të njohurit e më turistikët e Korfuzit të atëhershëm. Beni më hapi derën e shtëpisë së tij të vogël në Qinopiastes. Dhe atje bujta për atë muaj mësimi shumë të vyer për mua, shpesh duke bërë edhe “kuzhinjerin” për vaktet e mia.
U aftësova plotësisht për të bërë atë që njihet si faqosja e gazetës. Por ëndrra jonë, për të vijuar me botimin e gazetës sonë private, do të grisej si dorëshkrim i pavlerë, pasi bandat e 1997-ës nuk lanë pa grabitur bazën kompjuterike të gazetës “Joni-Saranda”.
U dëshpëruam shumë, pësuam shok, u deziluzionuam. Çfarë media mund të kishte, kur të gjitha pushtetet kishin rënë dhe ligjin e shtetin e bënin bandat?! U shkoq edhe “ortakëria” jonë.
Vetëm unë nuk i ika Sarandës. Qëndrova. Bëra fotografin te “kioska e Ladit”, ngjitur me sinagogën. Bëra telefonistin celular, duke shkuar tek prindërit e telefonuar nga fëmijët e emigruar. Të vënë në alarm nga kronikat që transmetonin pa pushim televizionet e huaja nga Saranda, kishin merak dhe nevojë të siguroheshin se i kishin shëndosh e mirë njerëzit e tyre, në Sarandën e trazuar nga trazirat e shkaktuara nga falimentimi i firmave piramidale. Bëra faturinon e autobusit, në kohërat kur “kontrollorët rrugorë” dhe gjobvënësit mbanin kallash e kapuç. Dhe në fije të perit ishte jeta, kur “gjoba” që paguaje nuk ishte ajo që kërkohej. Nuk mund ta harroj një episod, kur lekët e grumbulluara nga udhëtarët ua shpërndava 3-4 pasagjerëve më të besuar, kur bandat e ndalën autobusin tonë në Rumanat të Durrësit. Kushedi si do isha ndarë me ata, që edhe udhëtarëve u kërkonin të “shkundnin xhepat”, nëse nuk do të ishin larguar të kënaqur nga “kafja” që u dha shoferi, shoqëruar me lutjen për të na lejuar të iknim, se ishim të vonuar..
Retë a asaj kohe absurde u shpërndanë. Dhe erdhi viti 2000, vit kur jeta do të hynte në normalitet. Mendova se gazetarëve dhe miqve u duhej një pikë takimi e bashkëbisedimi për nevojat dhe temat e tyre. Dhe e gjeta se si. Në qendër të Sarandës, pak më poshtë kioskës ku shiteshin gazetat e ditës, tek Fredi Abazi, mora me qera një mjedis që funksionoi si “Press Coffee”. Pihej kafja e mëngjesit, lexohej falas gazeta e ditës, hidheshin edhe probleme në tavolinë. Ndjesia e ekzistencës së një komuniteti gazetarësh, po bëhej e ndjeshme.
Fati e desh që një ditë të vinte atje dhe të njihja avokaten, Mimi Anzel, e cila kishte hobi gazetarinë. Kishte ardhur nga Amerika për të ndjekur aventurën e një filmi dokumentar për Sarandën e atyre viteve. Mbeti e skandalizuar kur i thash se akoma ne i shkruanim artikujt tanë në letër. Me siguri që do të jem nga të parët gazetarë në jugun shqiptar që, falë mikeshës sime amerikane, u bëra me laptop. Ishte i markës “Dell”. U kujdes që elektronika ime të ishte një “cikël i mbyllur”, duke më pajisur edhe me printer shtëpiak, edhe me “baladeze” e sidomos me pajisjen UPS, që shumë përdorues të rinj të kompjuterit as nuk i dinë emrin. Por atëhere ku ta gjeje, se garantonte mbajtjen në punë të laptopit të paktën një çerek ore pas ikjes së dritave, që në ato vite ishte bërë si lojë. Por “Delli” më shërbeu shumë dhe më lehtësoi shumë punën. Prandaj një nga portretet e librit tim, i dedikohet mikeshës Mimi Anzel dhe mban titullin “E kam një “Dell” amerikan”.
Përveç “përbetimit” tim për të mos e braktisur në asnjë rrethanë profesionin që zgjodha të bëj, ky laptop i dhuruar më bëri edhe më stoik. Aksesi dhe hapësira speciale që më dha miku dhe kolegu im i mirë Ëngjëll Serjani, në gazetën rajonale “Dita Jug”, m’u kthye në ambicie që Saranda të vinte në një katërfaqësh më vete, si supliment i saj. Kaluan pak kohë kështu. Dhe erdhi e u poq ideja që “Joni-n ta botoja si një sipërmarrje personale në fushën e medias së shkruar. Kështu ndodhi që “Joni” doli për disa vite në formatin e një gazete që shërbeu si guudë turistike dygjuhëshe, shqip-anglisht. Sipas një eksperience perëndimore, ajo shpërndahej falas në Portin e Sarandës, në zyra turistike në qytet dhe në hollin e Bashkisë së qytetit, sepse botimi i saj u mbështet nga Fondacioni Hollandez “Press Now”.
Me shpejtësi, erdhën kohë, kur media në shkallë vendi, do të jetonte ditë e vite të mira. Nis bashkëpunimi me disa media, që nisën të botoheshin në Tiranë. Sot është vështirë të perceptohet se si realizohej ky bashkëpunim nga Saranda, të cilën e bënte edhe më të largët mungesa e rrugëve, mungesa e telefonisë, e celularit, e internetit në celular dhe atij në zyra. Lindën lokalet “Internet Kafe”, ku pas kthimit nga terreni, atje ishte zyra jonë. Atje e shkruanim lajmin në kompjuter, që andej ua nisnim redaksive tekst e foto, duke paguar për minutazhin e konsumuar në “Internet Kafe”. Sot gjithashtu është e vështirë të perceptohet se si qëllonte që artikulli apo reportazhi im, i shumëpritur nga redaksia e “Dita Jug”
në Gjirokastër, nuk arrinte të botohej. Sepse nuk ishte cilësia që vendoste, por se do të ndodhte që zarfi me reportazhin e shkruar, dërguar me furgonin apo autobusin e rastit nuk lihej në kioskën e vendosur si stacion dorëzimi në Gjirokastër, por, për harresë, merrej me vete në Tiranë. E po kështu, kronikat që përgatisja për Top Channel, i “postoja” me autobusin e linjës, duke gjetur njeriun e përgjegjshëm, nga i cili merrja sigurinë që dorëzimi i mini-kasetës tek “Piramida”, të ishte puna e parë që do bënte sapo të zbriste, sado i lodhur nga udhëtimi i gjatë. I kujtoj një për një, me shumë mirënjohje, të gjithë ata që e kanë bërë këtë, duke prishur mbase rendin e punëve të tyre. Sigurisht, edhe nga dëshira për ta parë Sarandën e tyre në ekran atë ditë.
Në të tjera kohëra jetojmë e punojmë sot. Niveli ku ka arritur sot teknologjia digitale, ta bën “luks” bashkëpunimin me mediat. Jam duke e përjetuar këtë, në përditshmërinë e bashkëpunimit tim vitet e fundit. Me raportimet për “Mirëmëngjes, Shqipëri” në
RTSH HD, për raportimet në “Kape Ditën” me Radio Tiranën. E së fundmi me kronikat që realizoj për ekranin e RTSH Gjirokastra apo RTSH 24.
Sepse ti instalon tripodin kudo që të jesh, hap smartfonin, realizon kronikën apo profilin që ke pikasur. Dhe brenda minutës produktin tënd e e linkon dhe e përcjell në çast në adresën e postës elektronike. Pra, zere se redaksinë e ke me centimetra larg.
E gjitha kjo infrastrukturë e sofistikuar e teknologjisë së informacionit, është një avantazh i madh, që gazetari sot të ketë fokus cilësinë e kronikës, reportazhit apo profilit. E thënë ndryshe, gjithçka është si një mundësi e artë që të jepet, për të treguar kualitetin e gazetarit që je.