Ilir Mehmeti dhe Nertil Kulla dorëhiqen nga kandidimi për kryetar të PD, dega Delvinë
Nisur nga problemet e krijuara, shtatë ditë nga zgjedhjet e ditës së diel, në 9 qershor 2024, ku demokratët e Delvinës do të votojnë për kryetarin e degës së PD, dy prej kandidatëve japin dorëheqje nga kandidimi: Ilir Mehmeti dhe Nertil Kulla. Në zgjedhjet e 9 qershorit do të kandidonin: Ilir Duka, Ilir Mehmeti dhe Nertil Kulla.
Më poshtë po bëjmë publike dorëheqjet e kandidatëve Ilir Mehmeti dhe Nertil Kulla drejtuar PDSH njëherësh edhe Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale
-Unë Ilir Mehmeti,anëtar i kryesisë së Degës së PD-së Delvinë, ish – kandidat i kualicionit “Bashkë Fitojmë”, në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 për Kryetar të Bashkisë Delvinë, si dhe kandidat i shpallur zyrtarisht për zgjedhjet për kryetar të degës së PD-së Delvinë të datës 09.06.2024 me vendim nr.22, datë 23.05.2024 të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, deklaroj sa më poshtë vijon:
Nisur nga problematikat serioze që paraqesin listat e anëtarësisë të cilat na janë vënë në dispozicion, në të cilat përfshihen shumë individë, të cilët në zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë në krah të ish -kandidatit rival dhe sot janë punonjës të Bashkisë Delvinë, të pajisur njëkohësisht me tesera të Partisë Socialiste, po ashtu individë të cilët i përkasin grupimit Basha, si dhe nisur nga fakti se sipas udhëzimeve në fuqi do të ushtrojnë të drejtën e votës edhe individë, të cilët nuk janë pjesë e listës por mund të ushtrojnë të drejtën e votës nëpërmjet paraqitjes së kartës së anëtarësisë (pavarësisht nga koha e lëshuar) dhe kartën e identitetit, duke e manipuluar totalisht procesin pasi këta individë pikësëpari nuk njihen nga ne për të marrë takim e për të bërë fushatë, shumë prej tyre kanë njëkohësisht dhe tesera të subjekteve të tjera, si dhe rrezikut të fabrikimit dhe shpërndarjes së kartave të tjera, jap dorëheqjen nga kandidimi për kryetar të degës së PD-së Delvinë.
Të gjitha problemet e cituara më sipër i kam ngritur që në mbledhjet e para të Grupit të Punës të kryesuara nga deputetja Ina Zhupa, si dhe kam njoftuar në rrugë zyrtare Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e PDSH-së, me shpresën se ky problem serioz do të korrigjohet.
Duke parë se pjesë e këtij procesi janë individë që aderojnë në subjekte të tjera politike,e të cilët do të ushtrojnë të drejtën e votës njëlloj si demokratët e ndershëm, të cilët i kemi pasur në krah në fushata e në protesta, duke devijuar kështu vullnetin e tyre, personalisht nuk do të pranoja kurrë të merrja pjesë në këtë proces votimi me problematikat serioze të cituara më lart. Personalisht vlerësoj sinqeritetin dhe dinjitetin të cilat i kam të shenjta, nuk i trembem as nuk i braktis garat por gjithmone kur ato kanë rregulla të qarta e të zbatueshme, të cilat në rastin e këtij procesi zgjedhor nuk janë zbatuar por akoma më keq ka individë të cilët janë shkarkuar për shkelje statutore, e tashmë trajtohen me status të veçantë duke ju dhënë avantazhe në dëm të rregullave statutore. Një garë brenda llojit kur nuk respektohen rregullat, ku listat e anëtarësisë janë totalisht fiktive, mund të sjellë vetëm fiktivitet, e unë personalisht nuk pranoj të jem pjesë e këtij fiktiviteti.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin
Me respekt
Ilir MEHMETI
Deklaratë doreheqje nga kandidimi për Kryetar të Degës së PD-së Delvinë
i kandidatit Nertil Kulla
-Unë Nertil Kulla, nënkryetar i Degës së PD-së Delvinë, si dhe kandidat i shpallur zyrtarisht për zgjedhjet për kryetar të degës së PD-së Delvinë të datës 09.06.2024 me vendim nr22, datë 23.05.2024 të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, deklaroj sa më poshtë vijon:
Nisur nga problematikat serioze që paraqesin listat e anëtarësisë si dhe nisur nga fakti se sipas udhëzimeve në fuqi do të ushtrojnë të drejtën e votës edhe individë, të cilët nuk janë pjesë e listës por mund të ushtrojnë të drejtën e votës nëpërmjet paraqesitjes së kartës së anëtarësisë (pavarësisht nga koha e lëshuar) dhe kartën e identitetit, duke e manipuluar totalisht procesin pasi këta individë pikësëpari nuk njihen nga ne për të marrë takim e për të bërë fushatë, shumë prej tyre kanë njëkohësisht dhe tesera të subjekteve të tjera, si dhe rrezikut të fabrikimit dhe shpërndarjes së kartave të tjera, jap dorëheqjen nga kandidimi për kryetar të degës së PD-së Delvinë.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin
Me respekt
Nertil KULLA