Sarandës i vijnë “Vikingët”…
Nga Thoma Nika
Prurja më e re e sezonit turistik 2024 në Sarandë, është anija e udhëtimeve turistike me emrin “Vikingët”. Këto ditë kjo anije turistike trekatëshe, e ka patur shkëputjen e parë nga ankorimi në platformën e shkallareve, që janë më skajore dhe më pozante, për të kryer lundrimin-test nëpër Gjirin e Sarandës.
Sarandioti Shkëlqim Beqo, i mirënjohur për kërkim të korridoreve dhe për gjetje të vetes në hapësirat turistike që ofron Qyteti i Turizmit, thotë se është pjesë e kësaj sipërmarrjeje të re.
Kur e pyesim pse “Vikingët”, ai thotë se jo vetëm aktiviteti, por edhe emri i anijes, e intrigoi jo pak për të vijuar të jetë operator sfidues në fushën e udhëtimeve turistike në plazhet më ekzotikë që gjenden përgjatë bregdetit të Sarandës.
Për këdo që e njeh natyrën dhe qasjen e tij sportive, është e kuptueshme se gjithçka është në sinkronë me natyrën e tij eksploruese dhe riskuese. Sepse edhe vikingët janë të njohur nga historia si popull që janë gjendur në beteja të njëpasnjëshme.
Sipas wikipedia, Vikingët ishin populli që jetonte në një mjedis të egër afër brigjeve të Mesdheut. Që nga viti 800 deri në vitin 1100, ata u shpërndanë në të gjithë Europën me famën e tyre si luftëtarë, që kanë kontribuar në mënyrë indirekte në progresin e qytetërimit perëndimor. Ata jetonin në një vend me natyrë të egër, duke mos folur për bregdetin, në të cilin fuqia e natyrës të imponon edhe sot frikë dhe respekt.
Lundrimet e tyre janë të lidhura me thellësitë marramendëse të Oqeanit Atlantik, ku dallgët arrijnë pesëmbëdhjetë metra të larta, të ndihmuara nga një erë, që arrin deri në 240 km/orë, ndërsa rrymat detare lëvizin deri në 8 nyje. Dhe vikingët peshkonin në këto ujëra ekstremisht të rrezikshme.
Një vizitë sado e shpejtë në bordin e Anijes “Vikingët”, të fut në këtë atmosferë dhe jehonë historish të pafund të popujve vikingë, të cilët quheshin kështu, për të “tretur” në një fjalë të vetme shtysën për zhvillim të tregut, nga banues të qytetit, që gjenden në luftë të përjetshme për jetën.