REPORTAZHI: Delvinë, ç’më panë sytë!
Te Vera e bimëve mjekësore, në Delivinë që është një oazë për ajrin kurativ. Këtu ishte ndalesa e gazetares Rudina Xhunga për të vazhduar ciklin e udhëtimeve në DritareTv, #AlbaniaAllInclusive.
Te bimët e Verës do të mësoni shumë, si t’i përdorni për sëmundje të ndryshme apo dhe të ndieni aromën e tyre në shtëpitë tuaja. Na ndiqni!
“Sot do të shihni një bahçe me trëndafila, me bimë mjekësore, të gjitha i shërbejnë turizmit. Turizmit të bimëve mjekësore. Delvina është një oazë i bimëve mjekësore, për ajrin kurativ. Nuk kam thënë kot, pusho në Sarandë dhe fli në Delvinë.
Do t’ju tregoj një grua që më solli këtu, Vera e bimëve mjekësore, e bimëve magjike. E kam intervistuar, por sot erdha në shtëpinë e saj që të shoh çfarë ka bërë. Të shihni ju ku duhet t’i merrni bimët. E vetmja gjë që nuk mund të tregoj është aroma, nuk përcillet, kur hyn këtu ajo të deh”, shprehet gazetarja Xhunga.
Në shtëpinë e Verës, “Bimë medicinale“, do të shihni magjinë që përcillet, për ndryshimin që e pret Delvinën.
“Kënaqësi e madhe që vjen në Delvinë, te Vera. Këto janë të gjitha bimë nga mali i Sopotit, s’ka bimë tjetër veç të Delvinës, të Libohovës deri në Himarë. Unë bimët i trajtoj si fëmijë, por edhe punëtoret i dua si vajzat e mia. Në sajë të punës së tyre, janë këto lule kaq të bukurs”, tregoi sipërmarësja Vera Çeço për gazetaren Xhunga.
Këto bimë të duarve të Verës, sjellin magjinë. Nuk dihet nga do fillojë historia e ndryshimit të Delvinës, por mesa duket ka nisur nga Vera. Zonja Vera eksporton jashtë vendit të paktën 50 lloje bimësh në vendet e Rajonit, por në dëshirën e saj është që këto bimë të konsumohen vetëm nga shqiptarët.
Për Dritare Tv ajo ndau disa nga lulet mrekullibërëse që shërojnë shumë lloje sëmundje!
“Para disa ditësh kam eksportuar mbi 50 lloje bimësh në Greqi. Kryesisht eksportoj në Greqi, Maqedoni dhe në Gjermani. Këtë bimë e marr në Zagori, e malit të Çajupit.
Është lule Akja (Helichrysum Arenarium). Përveç aromës është një nga lulet më të mira për gurët në tëmth, për t’i shkatërruar. Bëhet në lartësi, ku bëhet edhe çaji i malit. Unë mundohem të bëj sa më shumë politikë që këto bimë t’i pimë vetë. T’i pijë vetë Shqipëria, sesa t’i bëjmë eksport, edhe pse ata që i marrin i kanë lulet e preferuara.”, tha zonja Vera.
Një lule që shërben për shumëllojshmëri problemesh, zonja Vera rrëfen se është bar majasëlli!
“Kjo është lulja e kolitit ose bar majasëlli (Teucrium Polium). Kur ke kolit, e zien si çaj dhe e pi. Po ashtu forcon sistemin e tretjes dhe pankreasin, po ashtu edhe për sëmundje të lëkurës si: ekzema apo kruajtjet alergjike“.
Ja pse aromë dhe ajër si në Delvinë nuk ka në asnjë vend tjetër!