Djegia e tragetit në Sarandë, pronarët dyshojnë te zjarrvënia e qëllimshme
Një traget është djegur sot rreth orës 12:00, në kalatën e Portit të Sarandës. Trageti me emrin “Santa” është djegur pjesërisht, dhe fatmirësisht, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimi zjarrfikës në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare, kanë bërë të mundur evakuimin e pasagjerëve të cilët ishin në pritje për t’u imbarkuar në traget dhe shuarjen e zjarrit, për të cilin ende nuk dihet shkaku.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe shkakun e rënies së zjarrit.
Pasi zjarri është shuar janë konstatuar dëme të shumta në mjetin lundrues, të cilat përllogariten në vlerë mbi 300 mijë euro.
Mësohet se pronarët e tragetit kanë shprehur dyshimet e tyre se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe po sipas tyre shkak mund të jetë bërë konkurrenca.