37 vite në shërbim të klientëve, historia e kamarierit më të vjetër të Sarandës

Në Sarandë ai është kamarieri më i vjetër, por dhe më i dashur. Vendas e të huaj, të gjithë e njohin Dashon dhe pasionin e tij për punën që bën.

Dashamir Xhemali është 53 vjeç dhe ka plotë 37 vite që shërben në lokalet buzë detit.

“Kur vjen ajo ora 7 dhe unë vij në punë, unë ndiej një kënaqësi, ndiej një dashuri, Dasho njëri Dasho tjetri…Unë kam qysh në moshën 16 vjeç në këtë profil pune, pra i thonë 37 vjet punë, eksperiencë, dashuri, i kam falur njerëzve mendoj, mendoj se me shërbimin dhe me gojë ëmbëlsinë që unë kam mendoj se u kam falur njerëzve atë të cilën u mungon”, thotë ai.

Dasho e nisi këtë punë jo për mungesë të të ardhurave, por sepse në memorie ruante një imazh pozitiv për shërbyesit.

“Kur isha i vogël shihja gjithnjë ata brezat e shkuar që rrinin aq të pastër, me atë papionin, me atë këmishën e bardhë, dhe thosha një ditë mbase bëhem dhe unë kështu. Unë pasi mbusha moshën 16 vjeç u afrova pranë kampit të punëtorëve si një djalë i vogël dhe thashë; dua dhe unë të punoj këtu. Kur e kam mësuar këtë profil pune, e kam mësuar me të bërtitura se djalë i vogël, merrja tabakanë, thyeja një gotë, thyeja një tavull, më bërtisnin, mirëpo kur më bërtisnin krijoja një ndjesi dhe thosha: unë do bëhem më i mirë se ky një ditë”, tregon Dasho.

Sekretin e punës së tij quan mikpritjen, ndërsa profesionin e kamarierit e krahason me atë të balerinit.

“Sekreti i këtij profesioni është vetëm mikpritja, në momentin që hyn klienti në lokal është mikpritja, ajo përshëndetje mirë se erdhët, ju lutem, urdhëroni kam këtë tryezë…”, thotë ai.

Me natyrën e tij karizmatike, ai ka krijuar raporte miqësore me klientët e tij, të cilët rikthehen vit pas vit në vendin ku Dasho shërben.

Edhe pse moshën nuk e tregon, Dasho i ka ca vite mbi supe, por ai thotë se do të vallëzoj sa të ketë mundësi fizike.

“Derisa këmba dhe dora ime të jenë të afta për të shërbyer, vetëm kur të më dridhet dora atëherë do ta lë”, shprehet ai.