Ardi Veliu: Faleminderit Edi Rama! Jam krenar për punën time

Ardi Veliu tha se është krenar për punën e bërë prej tij dhe efektivëve të Policisë së Shtetit në 4 vitet e drejtuara prej tij.

Në fjalën e tij në ceremoninë e dorëzimit të detyrës te drejtori i ri, Gledis Nano, Veliu renditi arritjet e Policisë nën drejtimin e tij, si menaxhimi i krizës së tërmetit, protestave apo pandemisë.

“Arritëm të menaxhonim qindra tubime, që në momente të caktuara u bënë të dhunshme, duke lënduar dhjetëra efektivëve të policisë.

Arritëm që të menaxhonim gjithë situatën e pandemisë, jam krenar për atë që ju dhe unë kemi bërë. Para se të dorëzoj detyrën dua të falënderoj kryeministrin e vendit tim, i cili që nga dita e parë më ka mbështetur për të bërë këtë detyrë sa më mirë”, tha Veliu.

“Falënderimi kryesor është për ju të nderuar kolegë, sepse Policia e Shtetit sot është shumë më mirë se dje. Pavarësisht se të verbuarit nga njëzetfishimi i çmimit të kanabisit në vend apo të shurdhuar nga 1 ton kanabis të bllokuar nga ju të nderuar kolegë, hedhin baltë mbi Policinë e Shtetit”.